LSDM: Rasti i arrestit shtëpiak të Artan Grubit është “cirk publik”
LSDM ka reaguar ashpër për arrestin shtëpiak të Artan Grubit, duke thënë se i gjithë rasti është shndërruar në “cirk para publikut” dhe se vendimet janë marrë sipas një skenari të përgatitur më parë.
Sipas LSDM-së, Prokuroria e ka arsyetuar arrestin me një vlerësim sigurie nga Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Por, ata thonë se nuk është e qartë nëse një vlerësim i tillë ekziston.
Nga partia opozitare theksojnë se kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se bëhet fjalë për informacion të klasifikuar. Ndërkohë, sipas tyre, po dalin pretendime se “shërbime të huaja” kanë dhënë paralajmërime një vit më parë, por nuk ka pasur vlerësim zyrtar nga institucionet vendase.
LSDM pyet se mbi çfarë baze është marrë vendimi për arrest shtëpiak nëse nuk ka një vlerësim formal sigurie.
Sipas tyre, deklaratat e ndryshme dhe kundërthënëse për këtë çështje dëmtojnë besimin në institucionet dhe në sistemin e drejtësisë. Partia kërkon transparencë dhe sqarime të qarta për vendimin.

