LSDM: Masat e Qeverisë për uljen e çmimeve ishin të pasuksesshme

Partia maqedonase në opozitë, LSDM, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për përkeqësimin e krizës ekonomike në vend, duke e cilësuar si të paaftë për të stabilizuar situatën dhe për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.
Në një komunikatë për media, LSDM thekson se masat e ndërmarra nga qeveria janë të vonuara, joefektive dhe kryesisht të orientuara drejt propagandës mediatike. “Në vend të një zgjidhjeje sistemike për të parandaluar tronditjet e çmimeve, kemi marrë truke marketingu dhe lëvizje të përkohshme që nuk kanë asnjë efekt real”, thuhet në deklaratë.
Si shembull të kësaj, partia përmend “shportën e Vitit të Ri”, që u prezantua si masë për uljen e kostove të jetesës, por që sipas LSDM-së rezultoi në një manipulim publik pa ndikim konkret në çmimet e tregut. “Në prill, kostoja e shportës së konsumatorit u rrit me 836 denarë – një shifër alarmante që dëshmon dështimin e ndërhyrjeve qeveritare”, thuhet më tej.
Sipas LSDM-së, qytetarët sot përballen me standardin më të ulët të jetesës në dekadën e fundit. “Maqedonia e Veriut ka pagat më të ulëta në rajon, ndërsa çmimet për produkte bazë mbeten ndër më të lartat. Qeveria nuk ka as strategji, as vizion, as plan për dalje nga kjo krizë”, vijon deklarata.
Opozita rikujton gjithashtu se muaj më parë ka propozuar një paketë me shtatë ligje që, sipas tyre, do të ndihmonin në stabilizimin e tregut dhe rritjen e pagave. “Nëse propozimet tona do të ishin marrë parasysh, sot do të kishim përmirësime reale. Por qeveria i injoroi ato, duke zgjedhur populizmin në vend të veprimeve konkrete”, përfundon deklarata e LSDM-së.