LSDM: Maqedonia në fund të rajonit për nga rritja ekonomike sipas Bankës Botërore

Banka Botërore e ka rishikuar projeksionin e saj për rritjen e ekonomisë maqedonase për vitin 2025, nga 3,0% në 2,6%. Rishikimi në ulje vazhdon edhe për vitin 2026, me një rritje të pritshme të BPV-së prej 2,7%, në vend të 3,2% të parashikuara më parë. Bëhet fjalë për një sinjal që vjen nga rrjedhat reale ekonomike, e jo nga dëshirat apo marketingu politik. Banka Botërore nuk merret me retorikë, por me logjikë ekonomike, sipas së cilës edhe në vitin 2027 pritet një rritje prej 2,8% – dhe kjo duhet të merret seriozisht.
Nëse e shikojmë edhe nga perspektiva rajonale, Maqedonia e Veriut përballet me një tjetër fakt të pafavorshëm – vendi ynë ka projeksionin më të ulët për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2025 dhe është nën mesataren rajonale prej 3,2%. Në të njëjtën kohë, Banka Botërore thekson se vendi përballet me një deficit fiskal të zgjeruar, dobësim të pozicionit tregtar, ngadalësim nominal të inflacionit, por njëkohësisht identifikon presione të brendshme të çmimeve që sinjalizojnë rreziqe shtesë për stabilitetin e fuqisë blerëse. E gjithë kjo tregon se hapësira që Banka Botërore e detekton për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike është shumë më e ngushtë se ajo që paraqitet në opinion nga ana e Qeverisë.
Të nderuar,
Мe këtë rishikim në ulje të projeksioneve, Banka Botërore sinjalizon se ekonomia maqedonase aktualisht nuk tregon dinamikë që do të mund të mbështesë një normë rritjeje mbi 3%. Në një kontekst të tillë, projeksionet për 3,7% apo madje edhe 4%, të cilat i dëgjojmë nga disa përfaqësues qeveritarë, ngjasojnë më shumë me supozime sesa me fakte të nxjerra nga analiza ekonomike.
Konfirmimi më i mirë për këtë janë indikatorët aktualë makroekonomikë. Prodhimi industrial, si një barometër i ndjeshëm i ekonomisë reale, tregon një pamje thellësisht të paqëndrueshme. Nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2024 u regjistrua rënie e vazhdueshme, me një rritje minimale pozitive në janar prej 1,4%, për t’u kthyer sërish në zonën negative me -0,8% në shkurt. Këto fluktuacione tregojnë mungesën e parashikueshmërisë dhe të një politike ekonomike stimuluese.
Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime për likuiditetin e kompanive – për shkak të vonesave në kthimin e TVSH-së dhe në pagesën e obligimeve kontraktuale nga ana e shtetit – gjë që shuan më tej aktivitetin ekonomik. Koha që kompanitë presin për pagesat nga shteti arrin nga 6 deri në 9 muaj, që përbën një rrezik sistemik që ul aktivitetin ekonomik.
Sa i përket mjeteve nga kredia hungareze – 250 milionë euro për sektorin privat dhe 250 milionë për komunat – ende nuk pasqyrohen në të dhënat agregate. Nëse ato do të ishin inkorporuar efektivisht në ekonomi, pritej të paktën një sinjal fillestar për aktivitet investues. Por, një sinjal i tillë mungon.
Për më tepër, realizimi i shpenzimeve kapitale në nivel qendror është vetëm 13,55% deri në fund të prillit, ndërsa në komunat mesatarja është rreth 3%, me raste ekstreme nën 1%. Në kushte të tilla, pritjet për një rritje mbi 3% të BPV-së janë ekonomikisht të pabazuara. Asnjë ekonomi nuk mund të gjenerojë rritje pa investime produktive – qofshin ato publike apo private.
Prandaj, nuk bëhet fjalë për atë nëse shifrat e Bankës Botërore janë të sakta. Bëhet fjalë për atë nëse jemi të gatshëm të përballemi me faktet. Dhe faktet thonë: politika aktuale ekonomike e Qeverisë nuk krijon hapësirë për rritje të shëndetshme dhe të qëndrueshme të BPV-së mbi 3%. Nga ana tjetër, kemi një model qeverisës ku pritjet janë më të mëdha se kapacitetet.
Por, edhe rritja e projektuar prej 2,6% nuk do të ndihet nga qytetarët. Inflacioni vazhdon ta gërryejë fuqinë blerëse – indeksi i kostos së jetesës në tre muajt e parë të vitit lëviz nga 2,7% deri në 5,0%, ndërsa çmimet me pakicë rriten me një dinamikë të ngjashme prej 2,2% deri në 5,2%, që do të thotë se produktet bazë po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme. Maqedonia e Veriut mbetet vendi me pagat më të ulëta në rajon, dhe njëkohësisht me disa nga çmimet më të larta. Ndërkohë, masat qeveritare për kufizimin e marzhave, publikimi online i çmimeve nga supermarketet, si dhe përpjekjet simbolike me “shportën e Vitit të Ri” nuk dhanë asnjë rezultat. Tryeza festive për Ditën e Punës do të jetë më e shtrenjtë dhe më modeste për punëtorët.
Të nderuar,
Nëse diçka është e rrezikshme për ekonominë, ajo nuk është korrigjimi në ulje i projeksioneve nga Banka Botërore, por vetëbesimi i lartë në iluzionet e veta. Është koha të braktisim komunikimin e dëshirave dhe të kalojmë në politikë të rezultateve. Ekonomia nuk fal injorimin e realitetit – ajo gjithmonë i shpërblen ata që veprojnë mbi bazën e fakteve, e jo të dëshirave.
Ju faleminderit për vëmendjen.