LSDM-ja anulon marshin tradicional për 8 Marsin, do t’i bashkohet protestës “Nuk do të zhdukemi”
LSDM-ja anulon marshin tradicional të 8 Marsit që duhej të mbahej nesër në Bogdanci dhe i bashkohet protestës “Nuk do të zhdukemi”, bëri të ditur sot kryetari i partisë, Venko Filipçe.
Siç theksoi Filipçe në konferencë shtypi, LSDM-ja nesër do të jetë me qytetarët.
“Edhe këtë vit duhej ta shënonim 8 Marsin, por ngjarja tragjike në Shkup, vdekja e nënës dhe fëmijës, na tronditi thellë. Kjo nuk është një tragjedi individuale, por një tjetër provë e problemit sistemik të dhunës ndaj grave, reagimit joadekuat të institucioneve dhe e dështimit të tyre për t’u përballur me këtë problem. Do të jemi si qytetarë së bashku me qytetarët për të thënë mjaft më me gratë dhe fëmijët e vdekur për shkak të mosreagimit të institucioneve”, theksoi Filipçe.
Ai tha se LSDM-ja nuk është pjesë e organizatorëve të protestës së nesërme, por se anëtarët dhe mbështetësit e saj po bashkohen si qytetarë.

