Liverpool-i nuk ndalet me shpenzimet e çmendura, bën gati 43 milionë paund për talentin nga Ekuadori

Liverpool-i nuk ndalet me shpenzimet e çmendura, bën gati 43 milionë paund për talentin nga Ekuadori

Liverpool është shumë pranë finalizimit të një marrëveshjeje me vlerë deri në 43 milionë paund për mbrojtësin e Club Brugge, Joel Ordonez. Sipas raportimeve nga mediat angleze, transferimi i 21-vjeçarit mund të mbyllet brenda ditëve në vijim.
Mbrojtësi i kombëtares së Ekuadorit pritet t’i bashkohet “The Reds” pasi Chelsea është tërhequr nga gara për firmën e tij. Shuma fillestare e transferimit parashikohet rreth 35 milionë paund, ndërsa bonuset dhe klauzolat shtesë mund ta rrisin ndjeshëm koston finale të operacionit.

Ordonez ishte një nga protagonistët e Club Brugge në sezonin 2023-2024, ku fitoi titullin kampion në Belgjikë, ndërsa po luan në Ligën e Kampionëve për sezonin e dytë radhazi.
Ai nuk ka lidhje familjare me Deinner Ordonez, mbrojtësin 16-vjeçar që ka rënë dakord të transferohet te Chelsea sapo të mbushë 18 vjeç, por të dy janë produkte të akademisë së Independiente del Valle, klubi më i madh në Ekuador. Kjo akademi ka nxjerrë në pah edhe emra të njohur si ylli i Chelseat, Moises Caicedo.

Transferimi i Ordonez do të përfaqësonte një deklaratë të fortë nga Liverpool, pas një vere zhgënjyese në merkato. Klubi dështoi në minutat e fundit për të siguruar Marc Guehi nga Crystal Palace, pasi londinezët nuk gjetën një zëvendësues të përshtatshëm. Ndërkohë, Geovanni Leoni, mbrojtësi i ri i afruar nga Parma për një shifër që mund të arrinte 26 milionë paund, pësoi një dëmtim serioz në ligamentin e kryqëzuar në debutimin e tij në shtator.

Situata në prapavijë është bërë edhe më delikate nga fakti se Liverpool ende nuk ka arritur një marrëveshje rinovimi me Ibrahima Konaté, i cili nga 1 janari ka të drejtë të nisë bisedime me klube jashtë Anglisë.

Nëse transferimi mbyllet, Joel Ordonez do t’i ofronte trajnerit Arne Slot një zgjidhje të menjëhershme dhe cilësore në qendër të mbrojtjes, teksa kampionët në fuqi synojnë të vazhdojnë rikuperimin pas një periudhe të vështirë që dëmtoi mbrojtjen e titullit.

Liverpool rikthehet në fushë pasditen e së nesërmes, kur në “Anfield” pret Leeds United, skuadër që po lufton për mbijetesë.

MARKETING