Lirohen tre nga katër personat e privuar nga liria për vrasjen në Tetovë

Tre nga katër personat e ndaluar në lidhje me ngjarjen tragjike në Tetovë janë liruar nga autoritetet, ndërsa vetëm njëri prej tyre – një i mitur 15-vjeçar – po merret në pyetje në Gjykatë. Marrja në pyetje po zhvillohet në prani të avokatit të Qendrës për Punë Sociale dhe përfaqësuesve të shërbimit social, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Ngjarja ndodhi të dielën në mesditë në kryqëzimin e rrugëve “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”, ku si pasojë e një konflikti me armë, disa persona mbetën të plagosur. Sipas informacioneve të deritanishme, incidenti ka lidhje me një hasmëri mes familjeve rivale nga qyteti i Tetovës dhe fshati Gajre.
Një ditë pas ngjarjes, policia realizoi bastisje në disa lokacione në fshatin Gajre, ku u gjetën prova të rëndësishme për hetimin. Gjatë këtyre bastisjeve u arrestuan katër persona – dy femra dhe dy të mitur, të moshës 15 dhe 17 vjeç.