Lirim me kusht për Katica Janeva, dënimi mbetet në fuqi deri në 2027

Lirim me kusht për Katica Janeva, dënimi mbetet në fuqi deri në 2027

Ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e dënuar me 7 vjet burg, është liruar me kusht dhe është kthyer në shtëpi në fillim të kësaj jave, pasi që nga viti 2021 vuante dënimin në Burgun e Shkupit “Idrizovë”.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori i burgut “Idrizovë”, Zoran Jovanovski.

“E dënuara Katica Janeva ka përfituar lirim me kusht dhe është e obliguar të paraqitet rregullisht në Gjykatën Themelore Penale në Shkup deri në përfundimin e plotë të dënimit prej 7 vjetësh”, deklaroi Jovanovski për SDK.MK.

Sipas tij, Janeva duhet gjithashtu të respektojë disa kushte, përfshirë ndalimin e kryerjes së ndonjë vepre penale gjatë periudhës së lirimit me kusht, si dhe komunikimin e rregullt me personat përgjegjës profesionalë në gjykatë. Mosrespektimi i këtyre kushteve do të rezultonte me rikthimin e saj në burg.

Në korrik të vitit 2021, Gjykata e Apelit në Shkup ia konfirmoi Janevës dënimin me 7 vjet burg, në të cilin përfshihej edhe periudha mbi njëvjeçare e kaluar në paraburgim.

Janeva ishte e përfshirë në disa raste gjyqësore, ndërsa më herët kishte qenë nënshkruese e aktakuzës për blerjen e Mercedesit luksoz për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, të financuar me mjete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të cilin rast ish-ministrja Gordana Jankullovska u dënua.

Kujtojmë se edhe Jankullovska më herët ka përfituar lirim me kusht dhe është liruar para kohe nga burgu, ku në repartin e grave kishte vuajtur dënimin së bashku me Katicën Janeva.

MARKETING