Limani: Shprehja e pakënaqësive nuk është gjithmonë vetëpërjashtim, por shpesh është edhe alarm politik

Limani: Shprehja e pakënaqësive nuk është gjithmonë vetëpërjashtim, por shpesh është edhe alarm politik

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, ka vazhduar me diskutimin Brenda Lëvizjes BESA, pas vendimit që kryesia e partisë e mori për shkarkimin e kryesisë qendrore. Ai thotë se është kyqyr në Lëvizjen BESA në momentin kur kjo parti, sipas tij, identifikohej me LSDM-në, ndërsa tani, ka një pozicionim më të qartë politik dhe në funksion të përfaqësimit të shqiptarëve. Limani thotë se, shprehja e pakënaqësive nuk është gjithmonë vetëpërjashtim, por shpesh është edhe alarm politik.

Ja dhe postimi i tij i plotë:

Kundërpërgjigjet ndaj çdo zhvillimi politik duhet të nisin nga e vërteta dhe kontributi real në terren, jo nga interpretimet selektive apo interesat e momentit të disave që mendojnë së janë vetë partia. Është një fakt i pamohueshëm se sot ne nuk do të ishim faktor politik në nivel shtetëror pa mundin, sakrificën dhe organizimin e palodhshëm të aktivistëve që punuan që nga dita e parë pa poste, pa privilegje, por me besim të patundur te kauza.

Procesi i afrimit dhe bashkërendimit me subjektet e tjera nuk lindi rastësisht. Ai ishte rezultat i një vizioni të qartë politik për bashkimin e faktorit shqiptar. Ne krijuam një bosht të ri përfaqësues, që sot synon të materializohet në një projekt të përbashkët kombëtar. Të reduktosh këtë proces historik në “reagime të izoluara” është padrejtësi ndaj çdo njeriu që e ndërtoi këtë rrugë me punë konkrete në çdo lagje e qytet.

Duhet rikujtuar edhe një element tjetër me rëndësi së unë u kyça në një strukturë e cila në atë kohë identifikohej me LSDM-në, subjekt politik me orientime diametralisht të kundërta me platformën që përfaqësohet sot. Ky fakt vetëm sa e thekson rrugëtimin politik dhe transformimin që është bërë ndër vite, duke kaluar nga një fazë orientimesh të ndryshme drejt një pozicionimi më të qartë politik në funksion të përfaqësimit shqiptar.

Shprehja e pakënaqësive nuk është gjithmonë vetëpërjashtim, por shpesh është edhe alarm politik. Dhe alarmet duhen dëgjuar, jo etiketuar. Sepse një lëvizje rritet kur reflekton mbi kontributin e secilit, jo kur e relativizon atë. Sa i përket paralajmërimeve për “skanim” dhe rikonstruim, çdo proces vlerësimi duhet të nisë nga përgjegjësia në majë të piramidës. Vetë kryetari ka pranuar pakënaqësi për performancën dhe kjo është pikërisht arsyeja pse nevojitet analizë e thellë politike, jo vetëm administrative.

Do t’ju rikthej kujtesën në kohë përpara kyçjes në një strukturë, organizatë apo bashkësi, ekzistojnë marrëveshje që duhen respektuar. Është mirë të rikujtoni fazën e ndarjes së sferave të interesit nëpër zona dhe përpjekjet për të zëvendësuar figurat që rrezikonin pozitat në strukturën organizative.

Në fund, historia nuk rishkruhet me deklarata. Ajo mbetet në kujtesën e aktivistëve dhe qytetarëve që e ndërtuan hap pas hapi këtë subjekt. Respekti për atë kontribut është minimumi që kërkohet nga secili që sot flet në emër të tij. Unë mbetem mbrojtës i palëkundur i vlerave që na sollën këtu dhe i meritokracisë që duhet të na çojë përpara.

Me këtë, unë e konsideroj të mbyllur këtë debat me të gjithë ata që tentojnë ta keqpërdorin partinë për interesa personale. Energjia ime do të fokusohet aty ku duhet te qytetari dhe te forcimi i organizatës mbi parime të shëndosha sepse besimin e kam marr për të qene sherbetor i tyre dhe jo të shkel besimin e tyre.

Duke qenë se neser fillojmë muajn e shenjtë të Ramazanit, uroj që kjo kohë reflektimi të na shërbejë të gjithëve për të pastruar shpirtrat dhe synimet tona.

Paqja, sakrifica dhe solidariteti qofshin udhërrëfyesit tanë.

 

MARKETING