Limani në takim me të rinjtë e Gostivarit: Garancia e fitores më 11 janar
Aleanca Kombëtare për Integrim, në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, ka mbajtur sonte në Gostivar një takim të zgjeruar me rininë e koalicionit, duke riafirmuar rolin kyç të të rinjve në mobilizimin elektoral dhe në vizionin politik të kësaj force.
Në këtë takim morën pjesë kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kryesuesi i Këshillit Komunal Valdet Xhaferi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, si dhe drejtues të shtabeve zgjedhore.
Gjatë takimit, të rinjtë shprehën përkushtimin e tyre maksimal në ditët e fundit të fushatës, duke u zotuar për intensifikim të aktiviteteve në terren me qëllim sigurimin e një fitoreje bindëse për kandidatin Valbon Limani.
Në fjalën e tij, Limani falënderoi rininë për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata kanë qenë faktor kyç në rezultatin prej rreth 17 mijë votash të fituara në raundin e parë zgjedhor. Ai shprehu bindjen se edhe kësaj here, rinia do të jetë vendimtare në vulosjen e fitores më 11 janar.
Limani theksoi gjithashtu se të rinjtë do të kenë rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike gjatë katër viteve të ardhshme, duke vënë në pah përfaqësimin e tyre të konsiderueshëm në Këshillin Komunal, ku një numër i konsiderueshëm i këshilltarëve të AKI-së vijnë nga radhët e rinisë.
Takimi u mbyll me një mesazh të fortë mobilizues, duke u bërë thirrje të rinjve, të rejave dhe familjarëve të tyre që të angazhohen maksimalisht, me synimin që më 11 janar Gostivari të shënojë një fitore të thellë për Valbon Limanin, si shprehje e vullnetit qytetar dhe besimit në një qeverisje gjithëpërfshirëse.

