Limani: Do të dyfishojmë kapacitetin për grumbullimin e mbeturinave në Gostivar

Limani: Do të dyfishojmë kapacitetin për grumbullimin e mbeturinave në Gostivar

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Gostivarit, Valbon Limani, ka bërë të ditur se komuna ka një plan konkret për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.

Në emisionin “Debat në SHENJA”, Limani tha se në pesë muajt e fundit janë furnizuar dy kamionë të rinj për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa për periudhën prill–maj të vitit të ardhshëm planifikohet blerja e edhe dy automjeteve të tjera.

“Vetëm gjatë pesë muajve të fundit jemi furnizuar me dy kamionë të rinj për mbeturina. Deri nga muaji prill-maj, planifikojmë të shtojmë edhe dy të tjerë. Krahas kësaj, do të bëhet edhe rikonfigurimi i kontejnerëve – do të jenë me kapacitet më të madh dhe do të vendosen në më shumë pika të qytetit,” u shpreh Limani.

Ai shtoi se përmes të dhënave që komuna posedon mbi sasinë e mbeturinave të prodhuara, do të përcaktohet edhe numri dhe shpërndarja e kontejnerëve, për të siguruar një menaxhim sa më efikas të mbetjeve urbane. /SHENJA/

MARKETING