Lille refuzon ofertën e Napolit për Zhegrovën, kërkon më shumë

Lille refuzon ofertën e Napolit për Zhegrovën, kërkon më shumë

E ardhmja e Edon Zhegrovës në Lille po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa interesimi për yllin kosovar po rritet nga disa klube evropiane. Njëra prej tyre është Napoli, që sipas mediumit të afërt me klubin francez, “Le Petit Lillois”, ka dorëzuar një ofertë zyrtare prej 12 milionë eurosh për kartonin e 26-vjeçarit.

MARKETING

Megjithatë, drejtuesit e Lille nuk janë bindur nga kjo shumë dhe kanë bërë të qartë se nuk do ta lënë Zhegrovën të largohet për më pak se 20 milionë euro.

Zhegrova ka munguar në pjesën e dytë të sezonit për shkak të një lëndimi që e la jashtë fushave që nga dhjetori i kaluar. Napoli synon të përfitojë pikërisht nga kjo situatë për të siguruar shërbimet e tij për një çmim më të ulët, por Lille nuk ka ndërmend të lëshojë pe.

Sulmuesi i krahut ka edhe një vit kontratë me klubin francez, por tashmë ka bërë të ditur se nuk do ta rinovojë, duke sinjalizuar një largim të mundshëm në afatin kalimtar të verës.

Në këtë sezon, Zhegrova regjistroi tetë gola dhe dy asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat, duke qenë një ndër lojtarët më të dalluar të skuadrës së tij para lëndimit.

Përveç Napolit, interesim për reprezentuesin kosovar kanë shfaqur edhe klube të tjera evropiane, duke paralajmëruar një garë interesante për firmën e tij në muajt në vijim.

MARKETING