Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë Vuçiqin: Lufto korrupsionin ose do të përballesh me sanksione
Dy ligjvënës amerikanë, një republikan dhe një demokrat, i kanë dërguar një paralajmërim Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke i kërkuar të ndërmarrë hapa kundër korrupsionit dhe të kufizojë lidhjet me kundërshtarët e SHBA-së, ose të përballet me sanksione amerikane.
Përfaqësuesit Joe Wilson dhe Bill Keating, anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë prezantuar të enjten një projektligj që parashikon sanksione dhe ndalime vizash ndaj individëve që minojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.
Projektligji vjen në një kohë kur Vuçiç po përballet prej rreth dy vitesh me protesta masive të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit. Protestat nisën pas tragjedisë së nëntorit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku 16 persona humbën jetën pas shembjes së një tende.
Demonstruesit kanë akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion në projektet e ndërtimit, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë.
“Nën Presidentin Vuçiç, Serbia është larguar qëllimisht nga sundimi i ligjit dhe është afruar më shumë me armiqtë e lirisë si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran”, deklaroi Joe Wilson për The Hill.
“Pavarësisht protestave të përhapura kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiçit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, shtoi ai.
Edhe demokrati Bill Keating theksoi se Serbia duhet të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe të kufizojë ndikimin e Iranit, Rusisë dhe Kinës.
“Demokracia, sundimi i ligjit dhe antikorrupsioni duhet të mbeten shtyllat kryesore në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Serbi”, u shpreh Keating.
Projektligji e kritikon drejtpërdrejt Vuçiçin për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, kërkon hetim dhe llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad, si dhe ngre shqetësime për lidhjet në rritje të Serbisë me Iranin, Rusinë dhe Kinën.
Në tekstin e projektligjit thuhet se SHBA-ja ka interes për një Serbi “të qëndrueshme, demokratike dhe sovrane”, të angazhuar për paqen dhe sigurinë rajonale, të orientuar drejt institucioneve euroatlantike dhe të lirë nga ndikimi i jashtëm keqdashës.
Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë gjithashtu Sekretarit të Shtetit të ngrejë me Beogradin katër çështje kryesore: marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin; garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; luftën kundër korrupsionit, reformën e prokurimit publik dhe sundimin e ligjit; si dhe forcimin e qeverisjes demokratike, lirisë së shtypit dhe lirisë së tubimit.
Nëse administrata amerikane nuk arrin t’i japë Kongresit certifikimin e kërkuar, projektligji parashikon mundësinë e ndërprerjes së dialogut strategjik SHBA-Serbi ose shkurtimin e financimeve të lidhura me të.
Paralajmërimi i ligjvënësve amerikanë vjen në një kontrast të fortë me marrëdhëniet përgjithësisht të ngrohta mes Vuçiçit dhe Presidentit Donald Trump. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia zhvilluan dialogun e tyre të parë strategjik, ndërsa djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr., ka vizituar dy herë Beogradin këtë vit.

