Ligjërisht rregullohet puna shtesë dhe sezonale në shtet

Ligjërisht rregullohet puna shtesë dhe sezonale në shtet

Kuvendi, në kuadër të punës së sotme për rendin e ditës të seancës së 49-të, miratoi njëzëri me 73 vota “për” ndryshimet në Ligjin për angazhim në punë të personave, sipas të cilave person i angazhuar mund të jetë personi që nuk është në marrëdhënie pune, personi i punësuar, personi i vetëpunësuar, personat nën moshën 18 vjeç të cilët, në përputhje me rregulloret e përgjithshme për marrëdhëniet e punës, plotësojnë kushtet për themelimin e marrëdhënies së punës, studentët, përfituesit e pensioneve familjare dhe të pleqërisë, me përjashtim të përfituesve të pensioneve familjare në bazë të paaftësisë për punë dhe jetesë të pavarur dhe i huaj që ka qëndrim të rregulluar në përputhje me ligjin.

MARKETING

Deputeti Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE theksoi se ky ligj rregullon punën shtesë dhe sezonale në vend, ndërsa personat që do të punësohen sipas kësaj marrëdhënieje nuk do t’i humbasin të drejtat e fituara sipas marrëdhënieve të tjera. Zgjidhja ligjore, shtoi ai, do të mbështetet nga një grant prej 200 mijë eurosh nga një institucion gjerman.

“Të gjithë do të përfitojnë prej saj, përfshirë shtetin që do të mbushë buxhetin, punëdhënësit që do të jenë në gjendje të gjejnë punonjës dhe qytetarët që do të kenë mundësinë të punojnë dhe të paguhen dhe të angazhohen në fushën që duan. Përparësi do t’i jepet shërbimit të hotelerisë, bujqësisë dhe sektorit të shërbimeve, të cilat kanë mungesë të punonjësve, ndërsa nëse zgjerojmë aktivitetet, mund të krijohet një çekuilibër në tregun e punës. Studentët, pensionistët, personat socialisht të cenueshëm etj., do të jenë në gjendje të punojnë, gjë që, sipas ligjit, nuk ua ndërpret të drejtën për pension, ndihmë sociale ose studim, ndërsa edhe nxënësit e shkollave të mesme do të jenë në gjendje të angazhohen”, tha Stojanoski.

Shteti, theksoi, do t’u paguajë kontributet, sigurimin pensional dhe shëndetësor. Në këtë mënyrë 30 mijë të rinj të punësuar do të vendosen në sistem.

Kuvendi sot me 59 vota “për” dhe 7 “kundër” e zgjodhi Bujare Abazin si komisionere dhe kryetare të Komisionit për Letra me Vlerë (KLV).

Zëvendësministri Nikollçe Jankulloski theksoi se konkursi publik për zgjedhjen e kryetarit të KLV ishte publikuar në tri gazeta të përditshme, ndërsa Komisioni për zgjedhje konfirmoi se Abazi i përmbush kushtet dhe e ka përvojën e nevojshme prej minimum pesë vjet dhe vërtetim për njohjen e gjuhës angleze.

Kuvendi si themelues sot u dha autorizim Universitetit të Shtipit “Goce Dellçev” dhe Universitetit në Tetovë që të lidhin marrëveshje kolektive me sindikatat e tyre. Pa debat e miratoi edhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Punë të Jashtme.

Kuvendi në kuadër të mbledhjes së 49-të e përfundoi debatin e përgjithshëm për propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjahun dhe Gjuetinë, për ndryshimin e Ligjit për Fitofarmaci, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjedisin Jetësor, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Arsimin Fillor, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Arsimin e Mesëm dhe për ndryshimin e Ligjit për Arsim të Lartë, të gjitha në lexim të parë, dhe konkludoi se janë të pranueshëm që të jepen në lexim të mëtutjeshëm, gjegjësisht të dytë.

MARKETING