LIGA E EUROPËS/ Pesë shqiptarë në fushë dhe 26 gola të shënuar! Lacio i jep “leksion” Ajaksit

U luajtën mbrëmjen e sotme prej orës 21:00, nëntë duelet e vlefshme për raundin e gjashtë të Ligës së Europës, ku u shënuan në total 26 gola. Në fushën e lojës zbritën plot 5 lojtarë shqiptarë, 4 titullarë dhe një nga stoli.
Bëhet fjalë për Nedim Bajramin, Herdi Prengën, dy vëllezërit, Besfort dhe Arbër Zenelin si dhe Ernest Muçin që e nisi nga stoli në radhët e Beshiktashit, në duelin ndaj Bodo Glimt që u fitua nga këta të fundit me rezultatin 2 me 1. Muçi u hodh në fushë në minutën e 64 në vend të Al Mustratit.
Elfborgu i vëllezërve Zeneli triumfoi 1-0 ndaj Karabak. Rejnxhërs i Bajramit arriti një barazim pozitiv në shtëpi ndaj Totenhemit, ndërkohë që letonezët e RFS, ku aktivizohet mbrojtësi Herdi Prenga, u mposhtën me rezultatin 2 me 1 ndaj Makabi Tel Aviv.
Në duelet e tjera, spikat triumfi 1-3 i Lacios në transfertë ndaj Ajaksit, si dhe sukseset e Real Sociedad dhe Andeleht, por edhe të Lionit dhe Portos.