Lëvizja Besa: Të ketë përgjegjësi për Klinikën e Gjinekologjisë, e jo arsyetime
Lëvizja Besa ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në Klinikën e Gjinekologjisë. Nga Besa thonë se këto informacione janë tepër shqetësuese, që dëshmojnë mosfunksionimin e plotë të këtij sistemi shëndetësor.
“A mund ta paramendojë kryeministri, ministri i Shëndetësisë, por edhe drejtoria e spitalit, se çfarë traumash po i shkaktojnë nënave të reja, të cilat vijnë të sjellin në jetë fëmijët e tyre, me gjithë të mirat që u’a fal Zoti, e nga ana tjetër ju po u shkaktoni lloj – lloj lëndimesh e dëmtimesh. Një ditë një foshnjë përfundon me gisht të prerë, foshnja tjetër me krahë të thyer e me dhjetëra raste të tjera të ndryshme të cilat janë mbuluar e nuk janë bërë publike. E me paturpësi, udhëheqësit e klinikës arsyetohen pse kanë ndodhur këto raste, ndërsa nga Ministria kanë thënë vetëm se do i hetojnë me komisione të posaçme”.
“Kjo që ndodh është një veprim tepër anti njerëzor dhe i papërgjegjëshëm nga krerët e të dy institucioneve. Në vend që të tregojnë se ku qëndron problemi dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi, ata flasin për arsyetime dhe procedura. Por për ne arsyet janë të qarta. Puna e papërgjegjshme dhe joprofesionale e udhëheqësve partiak të institucioneve, frikësimi i qytetarëve për të marrë shërbim tek institucionet shëndetësore, për të cilat paguajnë taksa, e për të shkuar në spitalet private për të mbushur xhepat e pronarëve të spitaleve, të cilët janë miq dhe bashkëpunëtor të pushtetit”, thonë nga Lëvizja Besa.
Nga kjo parti kërkojnë që urgjentisht të ketë përgjegjësi për fajtorët kryesor të të gjithë këtyre rasteve dhe dorëheqje urgjente të drejtoreshës së spitalit.
“E nëse kjo nuk ndodh tani, të jeni të sigurt se do të ndodh menjëherë pas zgjedhjeve, kur pushteti do të ndryshojë dhe me institucionet do të udhëheqin kuadro profesionist dhe të përgjegjshëm të koalicionit Lidhja Europiane për Ndryshim!”, thonë nga Lëvizja Besa.