Lëshohet në përdorim rruga nga Ohri në Sh. Naum, me 11,7 milionë euro janë rinovuar 24,4 kilometra

Është lëshuar në përdorim rruga e rikonstruuar Ohër – Shën Naum me gjatësi prej 24,4 kilometra. Investimi në vlerë prej 11.7 milionë euro është i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRR). Është rinovuar plotësisht, është instaluar sinjalistikë e re, gardh sigurie dhe është bërë zgjerimi i të njëjës. Janë bërë ndërhyrje mbrojtëse në shpatijet e rrezikshme të rrugës gjashtë metra të gjerë.
MARKETING
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se sot, këtu nga bregu i Liqenit të Ohrit, dërgojmë mesazh të fortë dhe të qartë – Maqedonia po ndërtohet.
“Por kjo sot nuk është vetëm lëshim i rrugës në përdorim. Kjo është edhe një konfirmim tjetër i përkushtimit të Qeverisë – për të ndërtuar, pa shumë zhurmë. Pa spektakle partiake dhe biznesi. Me plan, me vizion të qartë dhe shumë punë.
Për momentin, ndërtohen paralelisht disa akse kyçe rrugore. Autostrada Kërçovë – Ohër po përshpejtohet fuqishëm, segmentet Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan janë aktive dhe po punohet në përgatitjen për ndërtimin e aksit Bukojçan – Kërçovë. Kjo do të thotë se po e mbyllim plotësisht unazën me autostrada në Maqedoninë Perëndimore. Dhe nuk ndalojmë këtu”, tha Mickoski.
Ai tha se kjo rrugë që po e lëshojmë sot na lidh me një nga qendrat më të mëdha shpirtërore dhe turistike në Ballkan – kompleksin e manastirit të Shën Naumit. Ajo i lidh gjithashtu të gjitha plazhet dhe kapacitetet turistike në pjesën jugore të bregut të Ohrit. Dhe jo vetëm kaq – ajo është pjesë edhe e lidhjes rajonale me Republikën e Shqipërisë.
“Ohri, qyteti nën mbrojtjen e UNESKO-s, ngadalë por sigurt, po merr pamjen e një destinacioni evropian të dëshiruar dhe të qasshëm. E kemi lidhur me botën përmes linjave të reja ajrore, përmes Stambollit, Memingenit, Vjenës, Beogradit. Sot, përmes rrugëve të rinovuara, po mundësojmë që të marrë frymë lirshëm dhe të zhvillohet siç i takon”, tha Mickoski.
Rruga Ohër – Sh. Naum për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski është jetike për të gjithë vijën bregdetare dhe turizmin. Ai tha disa pjesë nuk ishin prekur që nga ndërtimi i saj.
“Jam veçanërisht i lumtur që është ndërtuar një rrugë moderne dhe njerëzit që jetojnë në këtë pjesë të liqenit do të jenë në gjendje ta arrijnë atë më lehtë dhe shpejt gjatë gjithë vitit, por edhe turistët do të jenë në gjendje të komunikojnë më lehtë. Para nesh kemi ende projekte të mëdha. Kjo është një qeveri që është vetëm 11 muaj, qeveri që është përballur me probleme të mëdha. Për shtatë vjet pati shkatërrime në Maqedoni, projektet infrastrukturore u ndalën plotësisht, siç është edhe ky”, tha Nikolloski.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), Koce Trajanovski, tha se rruga është përfunduar brenda afatit të paraparë dhe se sot kemi një rrugë më të sigurt, më të dukshme dhe të rehabilituar.
“Kemi ngritur standardet e sigurisë në trafik, kemi siguruar një lidhje cilësore nga Ohri deri në kompleksin e manastirit Shën Naumi, kemi ngritur cilësinë e potencialit turistik dhe po inkurajojmë zhvillimin ekonomik në rajonin e Ohrit”, tha Trajanovski.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, shprehu kënaqësinë për realizimin e projektit kapital për rikonstruimin, zgjerimin dhe zhvillimin e segmentit Ohër – Shën Naum i cili sipas tij, ka zgjidhur një nga problemet më urgjente të infrastrukturës.