Lamine Yamal bën histori: I sjell Barcelonës mbi 2 milionë euro për vetëm 24 orë

Fenomeni i ri i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, vazhdon të thyejë barriera – jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Sulmuesi 17-vjeçar i Barcelonës ka vendosur një rekord të ri të jashtëzakonshëm për klubin katalanas në aspektin komercial.
MARKETING
Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Miguel Rico, vetëm brenda 24 orëve të fundit janë shitur fanella me emrin dhe numrin e Yamal në vlerë 2.1 milionë dollarë (afro 2 milionë euro). Kjo e bën fanellën e tij më të shiturën në histori të Barcelonës në një ditë të vetme – një rekord që konfirmon ndikimin e menjëhershëm dhe të fuqishëm të adoleshentit në botën e futbollit.
Ky shpërthim i popullaritetit vjen si pasojë e paraqitjeve brilante të Yamalit gjatë këtij sezoni, ku ai ka treguar pjekuri dhe talent përtej moshës së tij. Me 17 gola dhe 25 asistime në të gjitha garat, Yamal jo vetëm që ka qenë një nga lojtarët kyç për skuadrën e Hansi Flick, por ka tërhequr edhe vëmendjen e mbarë botës së futbollit si një ndër yjet e së ardhmes.
Fanella zyrtare e Nike me emrin e Yamalit është kthyer në një objekt të dëshiruar për tifozët anembanë botës. Për Barcelonën, kjo është një tjetër dëshmi e fuqisë së brendit dhe investimit në të rinjtë nga akademia “La Masia”.
Ndërkohë, Yamal vazhdon të shkëlqejë jo vetëm te Barcelona, por edhe me Spanjën, ku është konsideruar si një nga talentet më premtues që do të përfaqësojë “La Roja” në turnetë madhorë të ardhshëm.
Rritja e tij marramendëse, si sportive ashtu edhe komerciale, tregon se Lamine Yamal nuk është thjesht një emër i ri në skenë – ai është tashmë një figurë kyçe në të ardhmen e futbollit evropian dhe botëror.