Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit

Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit trepalësh të mbajtur sot në Bruksel.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është diskutuar për mënyrat e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit, derisa ka shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

“Kam pritur sot në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq për në raund tjetër të bisedimeve në kuadër të Dialogut. Diskutuam rrugën para për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe, në Bruksel është mbajtur sot rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Kosovën./Telegrafi/

MARKETING