Lajçak: Ura e Ibrit duhet të hapet me koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës

Lajçak: Ura e Ibrit duhet të hapet me koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, për përgatitjet paraprake për takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, transmeton Anadolu.

Lajçak tha se me Bislimin folën në detaje për agjendën e takimit të ardhshëm dhe çështjet që kanë nevojë të shtrohen aty.

“Çështja më e rëndësishme është si të zhbllokohet implementimi i marrëveshjeve të mëhershme për normalizimin e marrëdhënieve dhe për këtë patëm një diskutim të detajuar me zotëri Bislimin. Po ashtu janë edhe çështje të tjera që presim t’i diskutojmë sikurse për atë se sa progres është bërë nga takimi fundit, deri në takimin e ri të kryenegociatorëve”, theksoi Lajçak.

Ai bëri të ditur po ashtu se me Bislimin kanë diskutuar për urën mbi lumin “Ibër” që ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shqiptarë dhe në pjesën veriore me shumicë serbe.

“Diskutuam edhe për hapjen për transport të Urës së Ibrit. Pozicioni i BE-së është i qartë por do ta përsëris, ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, theksoi Lajçak.

Emisari i BE-së nuk e ka bërë të ditur datën se kur pritet të mbahet një takim i ri midis kryenegociatorëve Kosovë-Serbi në Bruksel.

Vizita e emisarit të BE-së në Kosovë synon përgatitjen e një takimi të ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh.

MARKETING