Lajçak: Takimi i fundit me Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel ishte sfidues si kurrë më parë

Lajçak: Takimi i fundit me Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel ishte sfidues si kurrë më parë

I dërguar special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sërish ka folur për takimin e fundit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Në një shkrim në platformën sociale Facebook, Lajçak, tha se në atë takim nuk ka pasur ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes.

Sipas tij, diskutimi ishte i rëndë, dhe shumë sfidues si kurrë më parë.

“Javën e kaluar, HRVP Borrell dhe unë pritëm presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Prishtinë-Beograd. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë”, shkroi Lajçak.

Megjithatë, thekson se puna vazhdon, pasi të martën do të ketë takim me kryenegociatorët e dyja vendeve për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes.

“Java ime përfundoi në Dubrovnik në Forumin vjetor të Dubrovnikut që mbledh së bashku politikë dhe vendimmarrës nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë. Kjo ngjarje është gjithmonë një tregues i mirë se ku jemi përpara pushimeve politike të verës. Këtë vit, fokusi ishte në sfidat globale, zgjedhjet dhe zhvillimet e ardhshme, por diskutuam gjithashtu të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si pjesë e BE-së”, shkroi Lajçak.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me 26 qershor tha se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë

Ai theksoi se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve;

E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023;

Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse udhëheqësi serb ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Gjatë konferencës për media, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa, “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

Megjithatë Vuçiq e kishte konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Presidenti serb deklaroi për mediat në Bruksel se Kurti “nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë”.

Vuçiq shtoi se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve./Telegrafi/

 

MARKETING