Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Do t’i finalizojmë përgatitjet para takimit të Ohrit

Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Do t’i finalizojmë përgatitjet para takimit të Ohrit

Emisari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimet në Beograd që kanë të bëjnë me marrjen e komenteve lidhur me aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, pas takimit të dytë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të martën në Beograd, ka deklaruar se ka dëgjuar komentet e tij.

“Përfundova takimin tim të dytë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për të dëgjuar komentet e tij mbi Aneksin e Zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen e BE-së. Pasi kemi marrë reagime nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, ka shkruar Lajçak në Twitter, transmeton Telegrafi.

Lajçak në Beograd ka takuar edhe opozitën serbe me të cilët ka biseduar për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të Propozimit evropian, e të cilën më 27 shkurt e pranuan në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 13 dhe 14 mars, me qëllim të mbledhjes së informacionit sesi do të zbatohet e ashtuquajtura Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese. /Telegrafi/

 

MARKETING