Lajçak: Asociacioni nuk e dobëson Kosovën, në tavolinë janë 16 modele evropiane

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, ai ka deklaruar se Asociacionin, Kosova duhet ta sheh si obligim dhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë e jo si kërcenim apo dënim.

Sipas tij, janë 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve, ndërsa ka thënë se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”.

“…kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund të iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën”, është shprehur Lajçak.

Tutje, ai ka potencuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se Asociacioni mund të bëhet, por se duhet marrë parasysh gjetjet e saj. Sipas tij, këto parametra duhet të definohen në dialog.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar më 27 shkurt në Bruksel ku kanë diskutuar për propozimin franko-gjerman, të njohur si plani evropian.

Ky propozim parashihet t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Propozim-marrëveshja që është bërë publike pas takimit të 27 shkurtit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa presidenti Vuçiq insiston në themelimin e tij. /Telegrafi/

MARKETING