Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2024

Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2024

Ministria për Financa ka sqaruar që Buxheti për vitin 2024 është miratuar sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, buxhet me të hyra që arrijnë 310.1 miliardë denarë, apo 10 % më shumë se vitin paraprak.

“Sot në Kuvendin e RMV-së u miratua propozimi i plotësuar i Buxhetit për vitin 2024, me ç’rast targetohen prioritetet dhe mjetet shpërndahen në mënyrë të duhur për plotësimin e nevojave publike të qytetarëve dhe kompanive”, njoftoi Ministria.

Në seancën e 135-të, për Buxhetin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, votuan 63 deputetë “për”, të “përmbajtur” 25, ndërsa “kundër” asnjë.

Ministria theksoi që shpenzimet e planifikuara për këtë vit janë 343.6 miliardë denarë, apo 5.8 përqind më shumë se viti paraprak.

“Rritja e ekonomisë për vitin 2024 parashihet të jetë në nivel prej 3.4% dhe inflacioni në nivel deri në 3.6%”, vlerësojnë nga Ministria.

Ndryshe, më 22 dhjetor në seancën plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi diskutimi për leximin e dytë të propozim-buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024. Debati do të zgjat pesë ditë.

Më 18 dhjetor, në seancën e 210-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar plotësimin e tekstit për propozim-buxhetin e vitit 2024, që do të dërgohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim. Më 7 dhjetor në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet filloi shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024. Për Propozim-buxhetin janë parashtruar gjithsej 272 amendamente, prej të cilëve 250 janë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar. Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1 miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliard denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

MARKETING