Kuvendi konfirmon dorëheqjen e zv. ministrit të Arsimit, Lulzim Aliut
Kuvendi i RMV-së në seancën e 84-të të sotme, konfirmoi dorëheqjen e zv. ministrit të Arsimit Lulzim Aliu.
Më 19 janar, Aliu njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale se kishte paraqitur një dorëheqje të parevokueshme nga pozicioni i tij.
Në dorëheqjen e tij drejtuar Kryeministrit, Hristijan Mickoski, Aliu tregoi se kjo vjen si pasqyrim i analizës së tij personale dhe profesionale dhe se gjatë kësaj periudhe është më e përshtatshme që ai të vazhdojë kontributin e tij në fushën akademike.
“I nderuar Kryeministër, Me këtë letër, dua t’ju informoj se po paraqes një dorëheqje të parevokueshme nga pozicioni i Zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dorëheqja ime vjen si pasqyrim i analizës sime personale dhe profesionale, duke marrë parasysh se gjatë kësaj periudhe është më e përshtatshme që unë të vazhdoj kontributin tim në fushën akademike, në punën time kërkimore dhe shkencore, si dhe përkushtimin tim ndaj familjes sime”, deklaroi Aliu në dorëheqjen e tij, të cilën e postoi në profilin e tij në Facebook.

