Kuvendi e votoi nevojën për miratimin e Propozim ligjit për Këshillin Gjyqësor
Me shumicë votash, deputetët në Kuvend sot e votuan nevojën për miratimin e Propozim-ligjit për Këshillin Gjyqësor, i cili dërgohet në lexim të dytë.
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në fjalimin e tij tha se me këtë ligj ka filluar epokë e re e punës dhe funksionimit, në të cilën çdo ligj i rëndësishëm dhe thelbësor për qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përgatitet përgjatë një procesi të hapur, publik dhe transparent.
“Ligji parashikon risi të rëndësishme, duke përfshirë publikun në procedurën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, duke specifikuar kriteret për zgjedhjen e një juristi të shquar, duke futur debat publik në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë jogjyqësorë, duke forcuar kriteret për përzgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve nga radhët e gjykatësve, si dhe procedurë të përcaktuar qartë për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe anëtarëve të Këshillit”, tha ministri Fillkov.
Ai theksoi se me këto ndryshime tejkalohen anomalitë sistematike dhe boshllëqet juridike, ndërsa përmbushen edhe rekomandimet e BE-së për fuqizimin e integritetit të pushtetit gjyqësor.
Përveç kësaj, në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi propozim për emërimin e Pranvera Sumës anëtare e Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional.
Është marrë edhe vendim për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në operacionin ndërkombëtar të OKB-së “UNIFIL” në Liban, ndërsa në lexim të parë ishte shqyrtuar edhe Propozim – ligji për plotësimin e Ligjit për Rrugët Publike, i cili u dërgua në lexim të mëtutjeshëm.
Kuvendi miratoi edhe vendim për ndryshimin e Vendimit për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për një pjesë të territorit të shtetit për shkak të rrezikut nga transiti i emigrantëve.
Sipas informacioneve nga zëvendëskryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, mbledhja vazhdon nesër.

