Kuvendi e konfirmoi dorëheqjen e deputetit Salim Sulejmani dhe shpalli pauzë

Kuvendi sot e konfirmoi dorëheqjen e deputetit Salim Sulejmani nga Aleanca për Shqiptarët dhe e angazhoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që të njoftojë dhomën ligjdhënëse për kandidatin që do ta zëvendësojë atë nga lista zgjedhore me qëllim verifikimin e mandatit të tij si deputet në përputhje me nenin 153 të Kodit Zgjedhor. Menjëherë pas konfirmimit të dorëheqjes së Sulejmanit, para se të përcaktohet rendi i ditës i seancës së 52-të, me kërkesë të deputetit Borislav Kërmov nga e Majta, nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, shpalli pauzë njëorëshe.
Siç kumtoi Bandevska, deri në fillim të seancës Sulejmani nuk ka njoftuar se donte të shpjegonte dorëheqjen e tij.
Salim Sulejmani më datë 18 të këtij muaji dha dorëheqjen nga të gjitha pozicionet në ASH, si dhe nga pozicioni i tij si deputet në Kuvend, duke iu referuar përgjegjësisë morale, profesionale dhe politike, kurse me dorëheqjen e tij, VLEN-i fiton një deputet të ri.
Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore është pika e pesët në rendin e ditës të propozuar të seancës së 52-të, ndërsa paradite u miratua nga Komisionit parlamentar për punë të jashtme me 10 vota “pro” dhe asnjë votë “kundër”.
Në rendin e ditës së seancës së 52-të është edhe Propozimi për emërimin e guvernatorit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin funksion presidentja e propozoi profesorin universitar, Trajko Sllavevski
Ne këtë seancë duhet të diskutohet edhe për Propozim vendimin për dhënien e autorizimit për lidhjen e marrëveshjes kolektive individuale, në lexim të dytë, për Propozim-ligjin e plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, në lexim të dytë dhe për Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për kulturë, me procedurë të shkurtuar.