Kurti:Pengesat e Serbisë nuk na ndalin në zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pengesat e vazhdueshme nga Serbia për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk do ta ndalin Kosovën në përpjekjet për të vërtetën dhe drejtësinë.
Në një postim në platformën X, Kurti ka shkruar lidhur me nisjen e gërmimeve në një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, për të cilin, tha se dyshohet se përmban mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica, mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill të vitit 1999.
“Pengimi i vazhdueshëm nga Serbia i përpjekjeve për të zbuluar fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm nuk do ta ndalë Republikën e Kosovës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në përkushtimin për të gjetur çdo person të zhdukur, për të zbuluar çdo varrezë të fshehur dhe për të çuar përgjegjësit para drejtësisë, në mënyrë që familjet e të zhdukurve më në fund të gjejnë pak paqe e ngushëllim.
Kurti tha se, më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës së viteve 1998-1999, familjet e 1.565 personave të zhdukur me dhunë, përfshirë mbi 100 fëmijë, vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

