Kurti: Vuçiqi do të përdorte Asociacionin si emër të ri për Republikën Serbe

Kurti: Vuçiqi do të përdorte Asociacionin si emër të ri për Republikën Serbe

Kosova dhe Serbia synojnë të përfundojnë një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve “këtë vit”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, duke e bërë të qartë se nuk do të ishte pa probleme, pavarësisht angazhimit të shtuar perëndimor.

“Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet me njohjen reciproke si pikën kryesore. Beogradi ka qenë i bindur se nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e ish-krahinës, megjithëse mund të pajtohet për një njohje ‘de facto’”, tha Kurti në një intervistë me Euractiv, transmeton Klankosova.tv.

Komentet e Kurtit erdhën përpara një takimi të nivelit të lartë në Bruksel sot, ku liderët e Serbisë dhe Kosovës pritet të miratojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara.

Propozimi i përditësuar i BE-së, i marrë nga të dyja palët përpara fillimit të një samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhjetorin e kaluar, por që nuk është bërë ende publik, thuhet se përfshin njohjen reciproke të dokumenteve zyrtare, rritjen e ndihmës financiare dhe masa të tjera për të përmirësuar jetën e njerëzve në të dy vendet.

I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti tha, “sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit”.

“Ajo që ka mbetur për të negociuar – dhe nuk do të jetë aspak e lehtë – është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, tha Kurti.

Asociacioni i komunave serbe

Përveç njohjes reciproke, çështja më e diskutueshme është një asociacion i planifikuar i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin Prishtina ka frikë se mund të krijojë një rajon të shkëputur dhe Kurt ka hezituar ta pranojë, megjithëse Serbia dhe Perëndimi theksojnë se ishte rënë dakord për një dekadë më parë.

Udhëheqësit e shumicës shqiptare etnike të Kosovës argumentojnë se një organ i tillë do t’i jepte Beogradit një ndikim të madh në vendin e tyre, ndërsa Beogradi thotë se është i nevojshëm për të mbrojtur të drejtat e serbëve etnikë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ende pas etno-nacionalizmit territorial”, tha Kurti kur u pyet për retorikën e homologut të tij.

“Në thelb, ai do të përdorte Asociacionin e Komunave Serbe si një emër të ri për Republikën Serbe”, tha ai, duke iu referuar entitetit shumë autonom serb të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, pas luftës së viteve 1991-95.

“Nga ana tjetër, shpresoj që pasi t’i hapim bisedimet, duke u mbështetur në propozimin e BE-së, do të rrisim besimin, sepse marrëveshjet nuk janë të zbatueshme nëse nuk ka besim, prandaj duhet një nivel i caktuar i mirëbesimit”, tha Kurti por paralajmëroi: “Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe zbatimi i marrëveshjeve në Ballkan kanë qenë dy planetë të ndryshëm dhe ne duhet t’i sjellim në të njëjtin kontinent, duke shtuar se “dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel gjatë dekadave të mëparshme, nuk janë zbatuar nga Serbia”.

Propozimi aktual i BE-së, tha Kurti, do t’i referohet “pakicave kombëtare” në preambulën e tij dhe koncepteve universale si pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, reciprociteti, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe vetëvendosja.

“Ajo që më bën optimist është fakti se disa koncepte dhe nocione universale janë përdorur në këtë propozim në ndryshim nga dekada para ardhjes sime në pushtet, ku 33 marrëveshjet bazoheshin më shumë në ideologjinë e zgjidhjes së problemeve”, tha ai.

Ai tha se propozimet e mëparshme ishin shumë komplekse dhe të detajuara dhe për këtë arsye të vështira për t’u shitur për publikun, ndërsa ai i fundit ka vetëm një pengesë të madhe.

“Një nga 33 marrëveshje nuk e kaloi testin e kushtetutës sonë, sepse ajo përmendet si një asociacion mono-etnik”, tha Kurti, duke iu përgjigjur presionit në rritje nga BE-ja dhe SHBA-ja për të krijuar Asociacionin e Komunave Serbe.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos bëjmë marrëveshje, të cilat dështuan në testin e të drejtave të njeriut të kushtetutës së rendit demokratik dhe republikan, por në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se në të gjithë Ballkanin kemi pakicat kombëtare – të drejtat e tyre nuk mund të jenë identike”, tha ai.

“Por sidoqoftë, ne nuk do të krijojmë këto disbalanca, të cilat bëhen burim tensionesh të mëtejshme”, shtoi ai.

Kurti tha se propozimi i BE-së nuk duhet të dalë nga 33 marrëveshjet e pazbatuara, duke shtuar se njohja reciproke duhet të jetë themeli i të gjithë procesit.

“Nga ana tjetër, në qendër, duhet të ketë njohje reciproke – nuk është e mundur të shërbesh kafe pa filxhan – çfarëdo që të bësh për sa i përket të drejtave dhe mekanizmave, shteti është një platformë që i siguron ato të drejta dhe ato mekanizma”, ka thënë Kurti.

Përparim me mosnjohësit

Pesë vende të BE-së – Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia – kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, Serbia ka vazhduar të lobojë tek shtetet e tjera për tërheqjen e tyre.

Me procesin e normalizimit Beograd-Prishtinë që ka të ngjarë të lidhet me pranimin në BE të të dy vendeve, zyrtarë të lartë të BE-së kanë treguar së fundmi se do të ishin “të gatshëm të vepronin” ndaj një zhvillimi të tillë.

I pyetur nëse beson se është bërë progres në lobimin ndaj shteteve jo-njohëse të BE-së, Kurti tha se “ka komunikim dhe bashkëpunim të shtuar, ndërsa atmosfera është shumë më e mirë me të gjitha ato”.

Sipas Kurtit, me Greqinë janë bërë hapa konkretë, pasi zyra e Kosovës në Athinë e ka ngritur statusin e saj në zyrë për çështje ekonomike.

“Ka pasur shumë keqkuptime në të kaluarën në lidhje me ngjashmëritë e situatave të brendshme mes vendeve dhe pak nga pak përfaqësues të ndryshëm të këtyre pesë mosnjohjeve po vërejnë se në fakt analogjia nuk qëndron”, tha Kurti.

“Ne jemi një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik dhe mendoj se kjo do të pranohet nga BE-ja për të na ndihmuar të ecim mjaft shpejt”, tha Kurti.

“Suedia dhe Finlanda, nga momenti i aplikimit deri në pranim iu deshën tre vjet, për Maltën dhe Qipron 14 vjet, mesatarja është nëntë – kështu që mendoj se është e arsyeshme që ne të shkojmë pas kësaj mesatareje”, shtoi ai. /Klankosova.tv

MARKETING