Kurti: Serbët në Kosovë po përballen me trysni që patjetër ta votojnë Listën Serbe
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime që “patjetër ta votojnë Listën Serbe dhe askënd tjetër”, një ditë pas arrestimit të shtatë qytetarëve në Graçanicë me dyshimet për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media ku Kurti foli për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, u pyet lidhur me arrestimet e fundit në Graçanicë, ku e konsideroi situatën e ndikimit tek votuesit serbë në Kosovë si ndër më të rëndat në vitet e fundit.
Ai tha se shantazhi nga Beogradi për votuesit serbë në Kosovë është shndërruar në fenomen.
“Masat që po i ndërmerr Serbia duke përcjellë edhe rrjetet sociale të secilit zyrtar shtetëror, të secilës figurë publike, të secilit politikan serb që ndonjëherë ndokund ka garuar, me të vërtetë janë alarmuese. Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi zyrtar mbi serbët e Kosovës e kemi të dëshmuar prej vet ankesave të serbëve të Kosovës. Ky është një fenomen i cili ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vitet prej se jam kryeministër”, tha Kurti.
Ai tha tutje se kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, frikësime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që ata kanë marrë nga Serbia ndonjëherë, me kushtëzimin që të rreshtohen në radhët e Listës Serbe.
“Serbia synon të krijojë ‘dualizma institucionalë’ brenda Kosovës dhe të ndikojë në funksionimin e institucioneve të vendit”, tha Kurti duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm në një shtet sovran. Sipas tij, institucionet e drejtësisë dhe prokurorisë janë të pavarura dhe kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për ta mbrojtur sundimin dhe zbatimin e ligjit, pa dallim etnie.
Autoritetet kosovare arrestuan shtatë persona të nacionalitetit serb në Graçanicë nën dyshimet për kërcënim, presion dhe shantazh ndaj votuesve para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Prokuroria dhe Policia thanë se kanë siguruar prova për veprën penale “cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se këto veprime burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia.
Nga ana tjetër, Lista Serbe i cilësoi arrestimet si përpjekje për “integrim të dhunshëm” të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë dhe akuzoi ministrin në detyrë Nenad Rashiq për targetim të serbëve. Reagime pati edhe nga autoritetet në Serbi, të cilat kërkuan përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në këtë çështje.

