Kurti pret grupin ndërshtetëror për rrugën Prizren–Tetovë: Maqedonia e Veriut së shpejti nis detyrën projektuese

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për projektin e rrugës Prizren–Tetovë, në një takim ku morën pjesë edhe zëvendësministrja e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
MARKETING
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti strategjik ndërkufitar, i cili është një ndër iniciativat më të rëndësishme infrastrukturore në rajon. Përmes këtij mekanizmi të përbashkët teknik, dy qeveritë po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar ndërlidhjen rrugore ndërmjet qyteteve Prizren dhe Tetovë.
Gjatë takimit, u bë e ditur se Maqedonia e Veriut do të sigurojë së shpejti detyrën projektuese për segmentin Tetovë–Prizren, duke hapur kështu rrugën për hartimin e projektit dhe përgatitjen e standardeve të ndërtimit.
Paraprakisht, grupi punues kishte zhvilluar një takim teknik për të diskutuar pikat kyçe të detyrës projektuese, me synimin që të avancohen në fazën e përcaktimit të kritereve teknike dhe më pas në hapjen e tenderit për projektimin e rrugës.
Ky ishte takimi i dytë zyrtar i grupit punues që nga themelimi i tij, dhe përfaqësuesit e të dyja vendeve u zotuan për angazhim të vazhdueshëm dhe koordinim të ngushtë. Bashkëpunimi i tyre është dëshmi e vullnetit të përbashkët politik dhe institucional për të ndërtuar infrastrukturë që forcon lidhjet mes qytetarëve dhe ekonomive të dy vendeve.
Kryeministri Kurti falënderoi pjesëmarrësit për përkushtimin dhe theksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë projekt, duke e cilësuar si një nismë me rëndësi të madhe strategjike dhe zhvillimore për të gjithë rajonin.