Kurti: Presidenti duhet të jetë konsensual, VV heq dorë nga posti – kërkon marrëveshje me LDK, PDK dhe AAK për një figurë unifikuese
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike mes partive për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Kurti ka deklaruar se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, e cila gëzon mbështetje të gjerë në Kuvend dhe në shoqëri.
Sipas tij, bëhet fjalë për një personalitet me kontribut të dëshmuar, me vlera kombëtare e qytetare dhe i respektuar në profesion dhe në shoqëri.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka thënë Kurti, duke theksuar se kandidati ideal duhet të jetë jashtë skenës aktuale politike dhe polemikave partiake.
Ai ka bërë të ditur se Vetëvendosje është e gatshme të heqë dorë nga posti i presidentit në këmbim të një marrëveshjeje politike që do t’i shmangte vendit zgjedhjet e reja.
Kurti ka përmendur edhe ofertën ndaj LDK-së, duke thënë se kësaj partie i është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit. Për një marrëveshje bashkëqeverisëse, ai ka përmendur edhe pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri.
Ai ka treguar se tashmë u ka shkruar kryetarëve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Lumir Abdixhikut, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, me kërkesën që të takohen sa më shpejt dhe të diskutojnë për presidentin e ardhshëm.
Kurti ka thënë se tashmë nuk duhet të diskutohet vetëm për karakteristikat që duhet t’i ketë presidenti, por edhe për emra konkretë.
“Na duhet të kalojmë te emrat e përveçëm. Na duhet të kalojmë te emrat konkretë”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, në Kosovë ka dhjetëra personalitete që mund ta ushtrojnë këtë funksion, duke përmendur figura me kontribut në rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe shtetndërtimin demokratik.
Ai ka shmangur përmendjen e emrave konkretë, duke thënë se një emër i propozuar prej tij do të merrte menjëherë “vulën” e tij politike.
Kurti ka folur edhe për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, duke thënë se ajo është e interesuar që posti i presidentit t’i besohet sa më shpejt një figure unifikuese.
Në fund, Kurti ka paralajmëruar se zvarritja e marrëveshjes mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke kërkuar që partitë të ulen në tavolinë dhe të gjejnë një emër të pranueshëm për të gjithë. /IndeksOnline/

