Kurti: Pikat e përbashkëta kufitare, ura që lidhin Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut

Kurti: Pikat e përbashkëta kufitare, ura që lidhin Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se krijimi i pikave të përbashkëta kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë përfaqëson shumë më tepër sesa një investim në infrastrukturën kufitare. Sipas tij, këto pika janë shembull i shërbimit të përbashkët, i thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe i përforcimit të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Këto pika nuk janë vetëm korridore kalimi, por ura që na lidhin më shumë. Nga tani e tutje, qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërsa shkëmbimi i të dhënave do të realizohet në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se vetëm gjatë vitit 2024, mbi 5 milionë qytetarë kanë kaluar në tri pikat kufitare që lidhin dy shtetet, çka tregon për intensitetin e lidhjeve ndërnjerëzore dhe për nevojën për lëvizje të lirë, efikase dhe të shpejtë – si për qytetarët, ashtu edhe për mallrat.

“Na gëzon fakti që tani policët tanë do të punojnë krah për krah, në të njëjtat ambiente. Kjo është një shenjë e besimit dhe e bashkëpunimit të ndërsjellë,” shtoi ai.

MARKETING