Kurti për La Stampa: Beogradi dëshiron të krijojë Rusinë e vogël në rajon, Evropa nuk mund të jetë neutrale për vetë sigurinë e saj

Kurti për La Stampa: Beogradi dëshiron të krijojë Rusinë e vogël në rajon, Evropa nuk mund të jetë neutrale për vetë sigurinë e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dhënë një intervistë gazetares italiane, Letizia Tortello, të realizuar me 14 janar 2023 dhe publikuar në La Stampa më 16 janar 2023. Më poshtë intervista e plotë e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.

Nga Ukraina në Kosovë, “Armiku është i njëjti: Putin. Serbia ka marrëveshje me Kremlinin për të destabilizuar Rajonin. Kufiri mes NATO-s dhe Rusisë është edhe këtu, në Ballkan”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 15 Dhjetor ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE. Sot merr frymë, pas javësh tensionesh dhe përplasjesh në veri të vendit, me minoritetin serb që ngriti barrikada. Kujtimi i luftës (1998-99) është shumë afër, dhe shumë i dhimbshëm, për të menduar për një konflikt të ri. Armiqësitë në këtë plan duket se vetëm janë shtyrë për ca më vonë, para zgjedhjeve të prillit. Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është më larg se kurrë. Sipas Kurtit, sepse Beogradi e kundërshton. Si një lloj dere rrotulluese nga e cila Moska dëshiron të kërcënojë indirekt edhe BE-në.

Kryeministri Kurti, vendi juaj, më i riu i lindur në Evropë, 15 vite më parë, po përjeton muaj të rrezikshëm për stabilitetin e tij. Si planifikoni të parandaloni një përshkallëzim?

“Vendi ynë ka pasur një vit të mbarë. Ne jemi dëshmia se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah, me rritje 4%, eksporte +23, investime të huaja direkte +47. Jemi përmirësuar me 17 pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, e njëjta gjë për lirinë e shtypit. Jemi në vendin e parë në Ballkan Perëndimor për shtetin e së drejtës. Por marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normale dhe ne duhet t’i normalizojmë”.

Por një marrëveshje midis jush dhe presidentit serb Vuçiq duket e pamundur. Ju jeni në një debat me pyetje dhe përgjigje të ashpër. Deri në çfarë pike jeni të gatshëm të shkoni për paqen në vendin tuaj?

“Normalizimi i marrëdhënieve duhet të ketë në thelb njohjen reciproke. Serbia duhet ta njohë Kosovën. Besoj se propozimi i BE-së i shtatorit të kaluar mund të shërbejë si një bazë e mirë për diskutimet e mëtejshme drejt këtij qëllimi demokratik. Duhet të bëhet një presion ndërkombëtar”.

Gjithashtu edhe nga ana juaj pra, duhet të ketë një hap drejt Beogradit. I dërguari i SHBA-së në Prishtinë, Derek Chollet, ju ka tërhequr vëmendjen, duke ju kujtuar të respektoni marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave Veriore në shumicë serbe. A do ta bëni?

“Paraardhësit e mi kanë lidhur 33 marrëveshje në dhjetë vjet, në bisedime në Bruksel. Njëra prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. E vetmja marrëveshje që dështoi në testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, ne gjendemi në këtë vështirësi. Mendoj se Kosova garanton nivelin më të lartë të të drejtave të pakicave. Sidomos për minoritetin serb. Shteti ynë është i përbërë nga 93% shqiptarë, gati 5% serbë, pjesa tjetër janë boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, turq dhe goranë. Ne zbatojmë në mënyrë të njëanshme parimet e Kushtetutës sonë të shkruara nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë. Bëhet fjalë për standardet më të larta evropiane. Një asociacion etnik i komunave bie ndesh me frymën e Kushtetutës sonë”.

Beogradi flet për diskriminim serioz ndaj popullatës së tij. A ka ndonjë të vërtetë?

“Beogradi insiston në këtë pikë sepse ai nuk dëshiron të ketë një marrëveshje. Nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në 1999. Në realitet, ajo që duhet është që Serbia të njohë krimet e saj në historinë e saj të vonë, të distancohet nga e kaluara e saj, Millosheviqi, dhe nga e tashmja e saj, Putini. Për sa më takon, si kryeministër, unë jam këtu për nevojat e qytetarëve serbë. Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike dhe sovrane. Mendoj se është koha për të gjetur një dialog me Serbinë. Por nga propozimet e BE-së, të refuzuara nga Beogradi më 27 tetorin e kaluar, ata duan të nxjerrin vetëm atë që i përshtatet.”

Çfarë roli po luan Rusia në Ballkan?

“Kosova është obsesioni i Putinit. Vuçiqi, në vitet 1990, kishte si slogan “Serbia e Madhe”, ndërsa tani e ka ndryshuar në “Bota Serbe”, imitim i shprehjes ruse Russkiy Mir. Beogradi është regjimi klientelist më i afërt dhe më i fortë me Kremlinin. Serbia dëshiron sërish Serbinë e Madhe, dëshiron Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dëshiron të transformojë Malin e Zi në Ukrainë dhe dëshiron të na e marrë veriun e Kosovës. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territorializimin e të drejtave. Një mentalitet i ngjashëm me atë të presidentit despotik Putin.”

Vuçiq, megjithatë, po demonstron me deklarata se dëshiron të distancohet nga Moska. A po luan një lojë të dyfishtë, sipas jush?

“Serbia ka bërë një zgjedhje. Ka nënshkruar tre marrëveshje të mëdha me Rusinë: në maj, për gazin me çmimin më të lirë, në shtator, me marrëveshjen midis ish-ministrit të Punëve të Jashtme Selakoviq dhe ministrit rus Lavrov në Nju Jork për të sinkronizuar politikën e jashtme. Së fundmi, politikani serb më pro-rus, Aleksandar Vulin, ish-nënkryetar i partisë së udhëhequr nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, tani është shefi i inteligjencës së Serbisë. Ka nga ata që nuk duan të shohin, kjo është shumë e qartë për mua”.

A mendoni se BE-ja po bën mjaftueshëm për të shmangur një prani ruse në Ballkan?

“BE duhet të jetë më e qartë dhe më e vendosur. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, nuk dënoi agresionin ukrainas dhe Kisha Ortodokse Serbe është në të njëjtën linjë me Kirillin. Prandaj mendoj se BE-ja duhet të jetë e guximshme. T’i thotë të vërtetën Beogradit dhe të veprojë në bazë të rrjedhojave. BE-ja nuk duhet të jetë neutrale ndaj një shteti që nuk është neutral ndaj Rusisë”

Cilat janë rreziqet?

“Rreziku konkret është se 48 baza operative janë të vendosura rreth kufirit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe dhe xhandarmërisë, më pak se 5 kilometra larg nesh. Aty qarkullojnë Night Wolves rusë (banda me motoçiklistë shumë afër Putinit shën. red.), dhe gjithashtu mercenarë dhe paraushtarakë Wagner. Ka foto me stemat e tyre. Ata ishin të pranishëm edhe në barrikadat në veri. Ato 16 barrikada ishin barrikada të Wagnerit”.

Keni frikë se veriu i Kosovës do të kthehet në Krimenë tuaj?

“Mendoj se Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël, dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi. Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”.

Çfarë prisni nga NATO?

“Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”.

Çfarë prisni nga Italia?

“Italia është fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor. Është partner dhe aleat. Duhet të jetë më aktive dhe të na ndihmojë në ruajtjen e një paqe afatgjatë.”

Si e shihni Kosovën pas dhjetë vjetësh?

“Një muaj më parë e bëmë kërkesën për anëtarësim në BE. Në të kaluarën, më të shpejtat për t’u integruar ishin Suedia dhe Finlanda në tre vjet. Qipro dhe Malta, 14 vjet. Do të doja të qëndroja në mesatare, 9 vjet. BE-ja është projekti politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit të planetit pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë për të dhënë ndihmesën tonë”.

 

MARKETING