Kurti: Pas fitores jemi të gatshëm të krijojmë institucionet sa më parë

Kurti: Pas fitores jemi të gatshëm të krijojmë institucionet sa më parë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, janë të interesuar që të ecin përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, dhe atë sa më parë, menjëherë.

Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se si qeveri në detyrë janë shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm që mos të lejojmë vakum institucional, jo për një ditë, jo për një orë,  por as për një minutë të vetëm.

“Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon: prej arrestimit të kriminelëve serbë, te digjitalizimi i arkave fiskale e te publikimi në Shkodër i projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës me 14 tunele, 43 ura, 7 stacione të reja dhe me gjatësi gati 106 kilometra”, tha ai.

Tutje Kurti tha se shteti po ashtu funksionon edhe sot me vendimet që kanë para vetes.

“Në rendin e ditës për mbledhjen e 258-të, në të cilën do ta kenë për shqyrtim Bordin e ri të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike ‘Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor’, huamarrjen për Telekomin e Kosovës, Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali, propozimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe Malishevës, e të tjera, e të tjera”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/

 

MARKETING