Kurti nga Tetova: Jemi shumë të interesuar të përshpejtohet lidhja infrastrukturore Prizren-Tetovë (VIDEO)
Qindra qytetarë të malësisë së Tetovës ishin mbledh në fshatin Vincë për të pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili me ftesë të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit mori pjesë në përurimin e një aksi rrugor, nga Tetova në fshatin Vincë. Kurti tha se në qiell Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjellë Zoti në tokë në mes është vënë mali sharr dhe janë bërë dy qytete. Kurti sqaroi se studimet e fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren janë kryer dhe se kjo rrugë është një marrëveshje mes dy qeverivë, asaj të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës: “Natyrisht që kjo rruga që pamë këtu është rrugë e brendshme e Komunës por ne jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejtë për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës që pra në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy, përmes aksit i cili parasheh edhe një tunel. Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë, nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia. Aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas Kovaçevski”.
Zëvendës ministri i Infrastrukturës i Kosovë, Hysen Dyrmishi tha se rruga Prizren-Tetovë është një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës, prandaj dhe menjëherë e keanë nënshkruar një marrëveshje me RMV.
Hysen Dyrmishi, zv/minister i Infrastrukturës i Kosovë: “Një studim fizibiliteti ka qenë që është bërë disa vite më përpara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe pas analizës që i kemi bërë këtij studimi të fizibilitetit i kemi kriju edhe dy komisione të përbashkëta ndërshtetërore Variantin të cilin e kemi përzgjedh është varianti me tunelin më të gjatë me 6.4 km. Arsyeja ka qenë që kjo rrugë të mund të funksionojë edhe në kushte të vështira të dimrit kur ka reshje të mëdha të borës. Pra, kemi shku me variantin me tunelin më të gjatë por në lartësi mbidetare shumë më të ulët. Dalja në territorin e Kosovës është në fshatin Manastiricë”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Billall Kasami i bëri thirje qeverisë që sa më shpejt ta përfundojë këtë projekt.
Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës: “Sot këtu jemi që të promovojmë edhe një aks të rëndësishëm të këtij segmenti që parasëgjithash do të jetë lidhja e dy qyteteve por në drejtim të zhvillimit të turizmit. Ajo që është me rëndësi për tu theksuar, që mes dy shteteve ka një studim fizibiliteti për aksin rrugor Tetovë-Prizren i cili studim fizibiliteti duhet të realizohet mes dy qeverive por ne si pushtet lokal nuk do të rrimë duarkryq, ne do ta bëjmë punën tonë dhe do të kontribuojmë zhvillimin e kësaj pjese të malësisë së Sharrit”.
Kasami tha se nëse qeveria e RMV-së nuk e ka ndërmend që ta bëjë këtë rrugë, ata nuk do të rrinë duarkryq, por ashtu siç e bënë këtë segmend rruge do ta bëjnë edhe pjesën tjetër.
Samir Mustafa /SHENJA/