Kurti: Kam prezantuar draft-vizionin për Asociacionin, nëse ka pajtueshmëri mund të vazhdojmë tutje

Kurti: Kam prezantuar draft-vizionin për Asociacionin, nëse ka pajtueshmëri mund të vazhdojmë tutje

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të enjten, duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se ka propozuar një draft-vizion.

Para deputetëve, kreu i ekzekutivit theksoi se për ta thelluar atë fillimisht duhet pajtimi në parim nga pala tjetër.

Këto deklarata ai i bëri pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, nëse ka filluar puna për hartimin e draftit të Asociacionit dhe nëse e ka formuar ekipin.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Për informacionin tuaj, përbërja e ekipit menaxhues është ndryshuar tri herë nga Qeveritë respektive të asaj kohe”.

“Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel dhe i cili përfaqëson shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë si dhe karakterin integrues të shtetit tonë”, deklaroi Kurti.

Por, Musliu-Shoshi sërish e pyeti se si do të duket statuti i tij.

“Në takimin e fundit më 2 maj unë kam prezantuar draft-vizionin për atë që thuhet në nenin 7 të marrëveshjes bazike si nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb, gjithsesi edhe në lidhje me nenin 10 ku thuhet se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë të obligueshme dhe të vlefshme. Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin e si duket ai më së miri e shpjegon teksti dyfaqësh”.

“Pra, porsa të lexohet teksti kuptohet si do të duket në vijim dhe konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tri arsye. E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

“Pra, si duket e kam dhënë vizionin. Ai është dy faqe dhe është publik dhe të gjithë mund ta lexojnë atë. Unë këtë mund ta thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që i kam thënë në Ohër më 18 mars, atëherë lirisht mund ta thellojmë tekstin, por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në pajtim”. /Telegrafi/

MARKETING