Kurti: Incizimi i Kusari-Lila me Radojiçiq është situatë e montuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur situatë të montuar incizimin ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duke komunikuar me terroristin serb, Milan Radojiçiq, me ndërmjetësimin e ish nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Ai para gazetarëve tha se duhet bërë trysni më e madhe që Radojiçiq të ketë aktakuzë në Kosovë dhe të arrestohet, për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tij, qytetarët e dinë se kush bashkëpunon në Kosovë me Radojiçiqin.
“Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radojiçiqin dhe e kanë të qartë pse Milan Radoiçiqi ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Për këtë gjë zëdhënësi i LVV-së e ka dhënë një përgjigje të saktë dhe të qartë… Ajo është një situatë e montuar dhe Milan Radojiçiq këtë muaj i bënë nëntë muaj që lëvizë i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte që në Kosovë të ketë aktakuzë dhe të arrestohet”, tha ai.
I pyetur se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Mimoza-Kusarit për komunikimin e saj me Radoiçiq, Kurti tha se Kusari-Lila nuk është anëtare e LVV-së.
“Po e kuptoj se po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda të një bisede që nuk e di si është marrë dhe ku është marrë, si u pre dhe nga kush është organizuar. Unë jam kryetar i LVV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e LVV-së. Edhe po të ishte anëtare e LVV-së për këso gjërash ka komisione dhe LVV-ja nuk e ka kryetarin diktator që merr vendime”, tha ai