Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Serbia, vitin e kaluar ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore

Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Serbia, vitin e kaluar ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, ndër të tjera ka folur për procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në platformën “X”, Kurti thotë se ua ka ripërsëritur ambasadorëve se vitin e kaluar më 26 tetor në Bruksel, Serbia ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore.

Kjo në një paketë që sipas tij do të mundësonte zbatimin e plotë të saj, duke përfshirë nenin 7 në lidhje me nenin 10.

“Përpara të nesërmes @coe, takimi për axhendën e Komitetit të Ministrave, u takova me ambasadorët e QUINT-it dhe kujtova se juristët e shquar, raportues @Dora Bakoyannis dhe @PACE_News, të gjithë kanë konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, u shpreh kryeminsitri.

Ai theksoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

“Çështjet që kanë të bëjnë me dialogun duhet të trajtohen në Bruksel”, tha kreu i Qeverisë.

Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Tash për tash nuk ka ndonjë reagim nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, por ata, vazhdimisht, i kanë bërë thirrje Kosovës që të bëjë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke formuar fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe./Telegrafi/

MARKETING