Kurti: 28 Nëntori na bashkon, e forcon ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ishte i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit në qytetin historik të Vlorës.
Në një postim në Facebook, ai ka publikuar disa fotografi krah Begajt e Ramës në ceremoni, derisa ka thënë se festa e 28 Nëntorit i bashkon shqiptarët.
“28 Nëntori na bashkon. 112 vjet më parë, në Vlorë shqiptarët u bënë bashkë. Idealet, parimet dhe synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, ishin ç’ka bashkuan mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit më 28 Nëntor 1912. Na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë“, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai ka thënë se dita e Pavarësisë sot festohet më me lehtësi se në të kaluarën.
“Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën. E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri.
Këtë 28 Nëntor, me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Spiropali e shumë miq e personalitete, e festuam në Vlorën e Pavarësisë, në qytetin që shënoi themelimin e shtetit shqiptar. Dita e sotme e forcon tek të gjithë shqiptarët, ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!”, ka potencuar Kurti.