KSHZ: Votim pa identifikim biometrik në dy vendvotime në Kumanovë dhe Shtip për shkak të problemeve teknike

KSHZ: Votim pa identifikim biometrik në dy vendvotime në Kumanovë dhe Shtip për shkak të problemeve teknike

Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftoi se në dy vendvotime në Kumanovë dhe Shtip, votimi po zhvillohet pa përdorimin e pajisjeve për identifikim biometrik, për shkak të pengesave teknike, raporton SHENJA. Në zgjedhjet parlamentare, vende të tilla ishin gjithsej gjashtë.

„Në Kumanovë kemi një vendvotim ku janë të regjistruar 12 votues, por nuk kishte energji elektrike. Sipas Kodit Zgjedhor, KSHZ mori vendim që të vazhdohet votimi pa pajisjen për identifikim biometrik, pasi nga EVN na u tha se do të duhen të paktën një orë e gjysmë për ndërhyrje, dhe nuk donim të humbnim kohë“, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për një vendvotim në Shtip, ku janë të regjistruar 507 votues. „Ekipi i IT-së bëri përpjekje me dy pajisje rezervë dhe dy karta të mençura rezervë, por pajisjet nuk mund të ndizeshin“, shpjegoi Kondarko.

Ai theksoi se votimi pa identifikim biometrik po zhvillohet vetëm në këto dy vendvotime, nga gjithsej 3.474 që janë hapur në mënyrë të rregullt dhe në kohë në të gjithë territorin e shtetit. /SHENJA/

MARKETING