KSHZ: Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, do përsëriten zgjedhjet në katër komuna

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve lokale, sipas të cilave në 43 komuna të vendit janë zgjedhur kryetarët që në raundin e parë të votimit. Ndërkohë, në 33 komuna të tjera, përfshirë Qytetin e Shkupit, procesi zgjedhor do të vazhdojë me raundin e dytë.
Në katër komuna nuk është arritur censi i nevojshëm i pjesëmarrjes për vlefshmërinë e votimit. Konkretisht, në komunën e Gostivarit kanë votuar vetëm 33.31% e qytetarëve me të drejtë vote, duke mos përmbushur pragun e kërkuar. Situatë e ngjashme është shënuar edhe në komunat Mavrovë-Rostushë, Qendër Zhupë dhe Vrapçisht.
Për këto katër komuna, ligji parasheh përsëritje të procesit zgjedhor brenda një afati prej 60 ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Deri në mbajtjen e votimeve të reja dhe zgjedhjen e kryetarëve të rinj, Qeveria do të emërojë ushtrues detyre që do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të komunës.