KSHZ nis nesër mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur në pesë komuna

KSHZ nis nesër mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur në pesë komuna

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se nesër, më 21 nëntor 2025, do të nisë procedura për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidimin e kandidatëve të pavarur për kryetarë komunash në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë.

Nënshkrimet do të mblidhen çdo ditë pune nga ora 08:30 deri në 16:30, përpara zyrtarëve kompetentë në sektorët dhe zyrat rajonale të KSHZ-së, si edhe para noterit. Ditën e fundit, më 30 nëntor, procedura do të jetë e hapur deri në orën 24:00.

Sektori rajonal i KSHZ-së në Gostivar do të jetë përgjegjës për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për kryetarë të komunave Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë dhe Vrapçisht, ndërsa zyra e KSHZ-së në Dibër do të kryejë këtë procedurë për komunën Qendër Zhupë.

Procesi i mbledhjes së nënshkrimeve përfundon më 30 nëntor, në orën 24:00.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash në këto pesë komuna janë caktuar si rezultat i mosarritjes së censusit në zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor 2025, çka bëri që kryetarët e rinj të mos zgjidheshin.

MARKETING