KSHZ-ja kërkon aktivitet më të madh nga komisionet komunale zgjedhore

KSHZ-ja kërkon aktivitet më të madh nga komisionet komunale zgjedhore

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boban Stojanovski dhe Boris Kondarko kërkojnë që komisionet komunale zgjedhore (KKZ) të përfshihen maksimalisht në aktivitetet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe siç thanë ata, të jenë më të përgjegjshëm, më aktivë dhe më të përditësuar.

Edhe në seancën e sotme të KSHZ-së u morën vendime për kërkesat për lirim nga detyra të kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarit të komisioneve zgjedhore komunale dhe në mënyrë të rastësishme u zgjodhën persona të rinj. KSHZ-ja miratoi edhe akreditimin për zgjedhjet e 13 vëzhguesve ndërkombëtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

“Aktivitetet e KKZ-ve hyjnë në fazën përfundimtare dhe vazhdimisht ka kërkesa për përjashtime dhe përzgjedhje të rastësishme të anëtarëve dhe zëvendës-anëtarëve në KKZ. Megjithatë, kjo nuk paraqet bazë për mosaktivitetin e tyre gjatë zbatimit të veprimeve të parapara për realizimin e të dy llojeve të zgjedhjeve. Prandaj, ata janë të lirë të punësojnë zëvendësanëtarë, ku nuk ka kryetar ose ai është joaktiv, zëvendëskryetari mund ta marrë detyrën. I sugjeroj që të bëhen më seriozë në punën e tyre aty ku nuk janë dhe t’i zbatojnë të gjitha veprimet konform Kodit zgjedhor, udhëzimeve tona dhe orientimeve që u janë dhënë nga KSHZ-ja. Këtu ka ekipe koordinuese që janë në dispozicion të komisioneve komunale zgjedhore në baza ditore për çdo këshill”, tha Stojanovski.

Ai shtoi se KKZ-të nuk kanë orar pune gjatë kësaj periudhe dhe tha se duhet të jenë vazhdimisht në shërbim të votuesve, procesit zgjedhor, si dhe pjesëmarrësve në zgjedhje.

“Duhet të përfshihen plotësisht në procesin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, sepse pasiviteti i tyre sjell përgjegjësi ligjore”, paralajmëroi Stojanovski.

Pohimeve të tij iu bashkua edhe Kondarko, i cili theksoi se të gjithë anëtarët dhe zëvendësanëtarët e KKZ-ve janë nga administrata shtetërore dhe janë të përjashtuar nga detyrat e përditshme të punës.

“Nuk ka arsyetim për mosveprim dhe vonesë në obligimet që i kanë konform Rregullores, udhëzimeve nga KSHZ-ja, detyrave ditore, raporteve, komunikimit, punës me këshillat zgjedhorë. I sugjeroj që të jenë më të përgjegjshëm, më aktivë dhe më të përditësuar në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme. Ata jo vetëm që janë të liruar nga detyrat e punës dhe e marrin pagën rregullisht, por do të marrin edhe kompensim nga KSHZ-ja. Ky proces nuk guxon të vuajë për shkak të rasteve individuale të mosveprimit dhe mungesës së shpejtësisë së komisioneve komunale”, tha Kondarko.

Kërkoi që të plotësohen obligimet lidhur me plotësimin e anëtarëve të këshillave zgjedhorë dhe të marrin pjesë në trajnimet e planifikuara për profesionalizimin e këshillave zgjedhorë.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski rekomandoi që koordinatorët t’i informojnë KKZ-të për indikacionet e paraqitura.

MARKETING