Kryenegociatori i Iranit mbërrin në Oman për bisedime mbi menaxhimin e Hormuzit
Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Qalibaf, mbërriti të hënën në Oman së bashku me kryediplomatin Abbas Araghchi për bisedime mbi marrëveshje të reja që lidhen me menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB, Qalibaf u prit pas mbërritjes nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi.
IRIB tha se Qalibaf mbërriti në Oman pas pjesëmarrjes në negociatat në Zvicër me SHBA-në dhe pas një ndalese që e përshkroi si “të nevojshme” në Teheran.
Vizita synon zhvillimin e konsultimeve të përbashkëta mes Teheranit dhe Maskatit për një kornizë të re menaxhimi të kësaj rruge strategjike ujore, tha media.
Udhëtimi vjen një ditë pasi Qalibaf dhe Araghchi morën pjesë në 18 orë negociata me SHBA-në në Zvicër, nën ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi mes Teheranit dhe Washingtonit.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, Qalibaf pritet gjithashtu të takohet me Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq, për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe koordinimin rajonal.

