Kryeministrja e Italisë Meloni thirrje BE-së për Ballkanin Perëndimor

Kryeministrja e Italisë Meloni thirrje BE-së për Ballkanin Perëndimor

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se Bashkimi Evropian (BE) duhet të ketë prioritet integrimin e Ballkanit Perëndimor në union dhe se ata nuk mund të lejojnë që ky rajon të qëndrojë jashtë BE-së për një kohë të gjatë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Trieste të Italisë u mbajt Konferenca “Itali-Ballkani Perëndimor”, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Italisë me qëllim afrimin e politikës dhe botës së biznesit italian me Ballkanin.

Në video-mesazhin që dërgoi në konferencë, kryeministrja Meloni tha: “Si një vend fqinj, Italia e di shumë mirë rëndësinë jetike që ka ky rajon për të ardhmen e të gjithë Evropës. Ne e dimë nga përvoja se gjithçka që ndodh përtej Adriatikut na prek menjëherë neve”.

Duke theksuar se dinamikat aktuale në botë si Lufta Rusi-Ukrainë e bëjnë të nevojshme këtë konferencë, Meloni tha: “Evropa ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit. Është e nevojshme të rikonfirmojmë ndjenjën e përkatësisë së këtij rajoni ndaj botës dhe vlerave tona. Ky ishte edhe mesazhi im në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë të Shqipërisë”.

Ajo u shpreh se nuk mund të mjaftohen vetëm me masa ekonomike për rajonin.

“Është urgjente që BE-ja të vendosë një vizion të ri për këtë rajon dhe t’i japë përparësi zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund të lejojmë që kjo pjesë strategjike e kontinentit tonë të qëndrojë jashtë shtëpisë së përbashkët evropiane për një kohë të gjatë”, deklaroi ajo.

Kryeministrja Meloni theksoi se rajoni është i rëndësishëm edhe për sigurinë e tyre kombëtare dhe shtoi se “siguria dhe rritja e të gjithë popujve në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për interesat kombëtare të Italisë”.

“Qëllimi i kësaj qeverie është të çojë Italinë edhe më tej në Ballkan. Kjo konferencë është një organizim që do të rifillojë interesin e Italisë në rajon. Kompanitë tona tashmë janë në rajon dhe kanë një rol udhëheqës, por ne duhet të rinovojmë këtë prani dhe të investojmë në sektorë strategjikë”, tha Meloni.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi gjithashtu se ky takim në Trieste duhet të jetë një pikë kthese për ta dhe se duhet të tregojnë prani më të madhe në Ballkan.

Duke potencuar se stabiliteti i rajonit është i rëndësishëm për sa i përket sigurisë, luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe integrimit në BE, Tajani tha se si Itali, ata janë të gatshëm të bëjnë atë që është e nevojshme për të luajtur një rol udhëheqës në rajon.

Mediat italiane tërhoqën vëmendjen edhe për faktin se konferenca e sotme tregoi rëndësinë që i jep rajonit qeveria e koalicionit të djathtë të kryesuar nga kryeministrja Meloni, e formuar në tetor 2022.

MARKETING