Kryeministri suedez jep dorëheqje pasi blloku i majtë fiton zgjedhjet
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i ka dorëzoi dorëheqjen kryetarit të parlamentit, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve treguan se blloku opozitar i majtë siguroi shumicën në parlament, transmeton Anadolu.
Opozita e majtë, e udhëhequr nga kryetarja e Partisë Socialdemokrate, Magdalena Andersson, fitoi 176 vende në parlamentin me 349 anëtarë, krahasuar me 173 vende të katër partive që mbështesin qeverinë e kryeministrit Kristersson, Partia e Moderuar, Demokratët e Suedisë, Demokristianët dhe Liberalët.
Sipas rezultateve paraprake të cituara nga transmetuesi publik SVT, opozita gjithashtu fitoi zgjedhjet me një epërsi prej 50.359 votash.
Kristersson njoftoi se kishte kërkuar të lirohej nga detyra e kryeministrit menjëherë pas numërimit të votave.
“Rezultati i zgjedhjeve mund të ketë krijuar kushte të ndërlikuara për formimin e qeverisë së ardhshme, pasi deklaratat e ndryshme të partive para ditës së zgjedhjeve mund të përbëjnë pengesa për të gjitha formacionet dhe koalicionet e mundshme qeveritare”, shkroi Kristersson në një letër drejtuar kryetarit të parlamentit.
Ai tha se procesi për gjetjen e një kryeministri që mund të sigurojë mbështetjen ose tolerimin e parlamentit do të kërkonte “hapje konstruktive” nga partitë e përfaqësuara në parlament.
“Që kjo punë të fillojë menjëherë, me këtë kërkoj të lirohem nga detyra e kryeministrit”, shkroi ai.
Dorëheqja i hap rrugën kryetarit të parlamentit për të nisur konsultimet me partitë politike për formimin e një qeverie të re.
Kristersson dhe ministrat e tjerë të kabinetit do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë derisa qeveria e re të marrë detyrën.
Rezultati i zgjedhjeve i jep opozitës tre vende më shumë se partitë që kanë mbështetur qeverinë e Kristerssonit, por formimi i qeverisë së ardhshme mund të varet nga negociatat mes partive në parlament.

