Kryeministri spanjoll refuzon “veprimin ushtarak unilateral” të ShBA-së dhe Izraelit
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se vendi i tij refuzon “veprimin ushtarak unilateral” të nisur nga ShBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit të shtunën dhe paralajmëroi se bota nuk mund të përballojë një tjetër “luftë shkatërruese” në Lindjen e Mesme.
“Ne refuzojmë veprimin ushtarak unilateral nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, i cili përfaqëson një përshkallëzim dhe kontribuon në një rend ndërkombëtar më të pasigurt dhe armiqësor. Po ashtu refuzojmë veprimet e regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare”, shkroi Sanchez në platformën sociale X.
Ai theksoi se nuk mund të përballohet një tjetër “luftë e gjatë dhe shkatërruese” në Lindjen e Mesme.
“Ne kërkojmë ulje të menjëhershëm të tensioneve dhe respekt të plotë për ligjin ndërkombëtar. Është koha të rifillojë dialogu dhe të arrihet një zgjidhje politike e qëndrueshme për rajonin”, shtoi Sanchez.
Izraeli dhe ShBA-ja njoftuan të shtunën herët një operacion të përbashkët kundër Iranit, duke cituar “kërcënimet” që paraqet “regjimi iranian.”
Duke theksuar të drejtën për vetëmbrojtje, Irani ka kundërpërgjigjur duke goditur objektiva izraelite dhe amerikane në disa vende të Gjirit. Disa vende të rajonit gjithashtu mbyllën hapësirën e tyre ajrore.
Këto sulme vijnë ndërkohë që bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor të Iranit ishin në zhvillim nën ndërmjetësimin e Omanit. Një raund i ri bisedimesh në Gjenevë përfundoi të enjten.
ShBA-ja gjithashtu goditi tre objekte bërthamore iraniane gjatë luftës 12-ditore Izrael-Iran në qershorin e kaluar.

