Kryeministri i Katarit: Marrëveshja e armëpushimit në Gaza do të zbatohet duke filluar nga e diela
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman njoftoi sot në mbrëmje suksesin e ndërmjetësve në arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se zbatimi i saj do të fillojë këtë të dielë, raporton Anadolu.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Doha, bin Abdulrahman deklaroi se faza e parë e marrëveshjes do të zgjasë 42 ditë dhe do të përfshijë lirimin e 33 të burgosurve izraelitë në këmbim të një numri të pacaktuar të të burgosurve palestinezë.
Bin Abdulrahman vuri në dukje se Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara “do të punojnë për të siguruar zbatimin e marrëveshjes”, me mekanizma në funksion për të monitoruar zbatimin e saj dhe për të adresuar çdo shkelje të mundshme.
Kryeministri i Katarit shprehu shpresën e tij se “asnjë operacion ushtarak nuk do të kryhet gjatë periudhës që çon në zbatimin e marrëveshjes”.
Ai tha se detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të pasojnë pas përfundimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.