Kryeministri hungarez akuzon USAID-in se ka financuar mediat e majta në Evropë
![Kryeministri hungarez akuzon USAID-in se ka financuar mediat e majta në Evropë](https://shenja.tv/wp-content/uploads/2025/02/ORban.jpg)
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban akuzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për financimin e mediave të krahut të majtë në Evropë, duke cituar një pretendim të paverifikuar në mediat sociale, raporton Anadolu.
“Pra, me sa duket, USAID financoi Politico-n ultra-progresive në Bruksel dhe në thelb të gjithë median e majtë në Hungari, nën administratën e mëparshme amerikane”, postoi Orban në X mbrëmë, duke shtuar:
“Unë mendoj se bota duhet të falënderojë presidentit amerikan Donald Trump për zbulimin dhe përfundimin e këtij komploti të errët”.
Mbrëmë, sekretarja për mediat e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt njoftoi se qeveria federale do të anulonte abonimet e qeverisë me vlerë 8 milionë dollarë për median “Politico”.
Megjithatë, Leavitt nuk mundi të verifikonte pretendimin që qarkullonte në mediat sociale, të përforcuar nga Orban, se USAID qëndronte pas pagesave.
“Unë u informova për financimin e USAID-it për mediat, përfshirë ‘Politico’-n dhe mund të konfirmoj se më shumë se 8 milionë dollarë të taksapaguesve kanë shkuar për subvencionimin e abonimeve në ‘Politico'”, u tha ajo gazetarëve.
Sipas USAspending, faqe zyrtare e qeverisë që gjurmon shpenzimet federale, organizata të tjera të mëdha mediatike amerikane si Bloomberg dhe “The New York Times” gjithashtu morën pagesa nga institucione të ndryshme federale, shumë prej të cilave ishin për abonime në internet.
Me një buxhet prej mbi 50 miliardë dollarësh që nga viti 2023, USAID është një nga agjencitë zyrtare të ndihmës më të mëdha në botë. USAID ka siguruar fonde për disa organizata joqeveritare, përfshirë organizata mediatike në më shumë se 30 vende, për të çuar përpara misionin e saj për të promovuar zhvillimin global dhe ndihmën humanitare.
Megjithatë, administrata e presidentit amerikan Trump ka filluar me mbylljen e operacioneve të agjencisë USAID brenda dhe jashtë vendit.
Veprimi i papritur çoi në ndërprerje të shumta në programet globale të ndihmës, duke prekur shumë OJQ dhe organizata mediatike që mbështeten në financimin e USAID-it.