Kryediplomati turk Fidan: Turqia zgjeron rolin diplomatik, Antalya bëhet qendër tërheqëse për liderët botërorë
Forumi i Diplomacisë në Antalya gjatë tri ditëve të fundit mblodhi mijëra liderë botërorë dhe shërbeu si një platformë kyç për trajtimin e krizave të mëdha ndërkombëtare, tha sot ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, duke theksuar gjithashtu rolin gjithnjë e më të madh të Turqisë në diplomaci dhe ndërmjetësim, raporton Anadolu.
Duke folur në konferencën përmbyllëse të forumit treditor në qytetin jugor turk të Antalyas, Fidan tha se në ngjarje morën pjesë 23 krerë shtetesh dhe qeverish, 13 zëvendësliderë dhe 50 ministra të jashtëm, së bashku me përfaqësues nga 150 vende dhe 66 organizata ndërkombëtare.
“Gjatë tri ditëve, Antalya u shndërrua sërish në një qendër ku u ndje pulsi i diplomacisë globale”, tha Fidan, duke shtuar se 6.400 pjesëmarrës morën pjesë në 52 sesione ku u trajtuan krizat nga Azi-Paqësori deri në Amerikën Latine, Evropë dhe Azinë Qendrore.
Fidan tha se presidenti Recep Tayyip Erdogan, së bashku me zyrtarë të lartë turq dhe homologët e tyre të huaj, zhvilluan shumë takime dypalëshe në margjina të forumit, ndërsa aty u mbajtën edhe disa takime të rëndësishme diplomatike.
Ai vuri në dukje se Turqia, Arabia Saudite, Egjipti dhe Pakistani zhvilluan një takim katërpalësh të fokusuar në stabilitetin rajonal, bashkëpunimin ekonomik dhe zgjidhjen e konflikteve.
“Qëllimi ynë është që këto katër vende t’i trajtojnë çështjet rajonale me një agjendë realiste dhe të zbatueshme”, tha Fidan. “Nëse rajoni vazhdon të presë ndihmë nga jashtë, do të vazhdojë të përballet me të njëjtat probleme pafundësisht”, shtoi ai.
Fidan hodhi poshtë pretendimet se bisedimet kishin për qëllim formimin e një aleance ushtarake, duke thënë se Turqia është e fokusuar në stabilitet dhe zhvillim ekonomik, jo në përballje.
“Ne nuk po krijojmë aleanca kundër të tjerëve. Ne po kërkojmë si të përfundojnë konfliktet, të avancojmë zhvillimin ekonomik dhe të sigurohet stabiliteti në rajonin tonë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm shtoi gjithashtu se gjashtë vende me shumicë myslimane u takuan për të diskutuar zhvillimet në planin e paqes për Gazën dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

